Kur të heshtësh, e humb të drejten që të takon

01.02.2020 00:37:56
Nga Enver Zhinipotoku

Një bashkëfshatar imi, që për 25 vite jeton në Gjermani dhe ka filluar të shkruaj edhe poezi G.O, mbrëmë më kishte dërguar një tekst të bisedës, në formë mesazhi për ne shqiptarët, që kishte pasur me një qift bashkëshortor gjerman, dy fqinjë të tij, siç më thotë, me të cilët banon në të njejtën ndërtesë. Fqiu im jeton në qytetin universitar Heidelberg, dhe ka marrëdhënie fqinjësie me bashkëshortët Hoffman, të dy juristë, me të cilët thotë se shpesh pi kafe. Një ditë, më thotë fqiu im patëm një bisedë me ta rreth të drejtës dhe luftës për mbrojtjen e saj. G.O., më thotë në postimin elektronik, se shpesh (më thotë mua), edhe ty profesor të kam dëgjuar që e mbron të njejtin qëndrim që e dëgjova prej zonjës Hoffman.
Postimin që më erdhi nga fqiu im prej Heidelbergu, po e ndaj me miqtë e mi në këtë postim të sotëm, për të kuptuar drejtësinë e vërtetë, ashtu siç ua paska shpjeguar profesori gjerman studentëve, kur zonja Hoffman paska qenë studente e drejtësisë.
Zonja Hoffman është e punësuar në qytetin Karlsruhe, aty ku ndahet drejtësia kryesore gjermane dhe merret me çështje civile, kurse i shoqi i saj avokat, punon në periferinë e Karlsruhes.
Kur filluam bisedën duke pirë kafe me fqinjët gjermanë, shkruan fqiu im, ata, filluan t’i lavdërojnë shqiptarët si njerëz punëtorë dhe mikpritës, por tërhoqi vërejtjen zonja Hoffman, jeni popull që kam kuptuar se e pëlqeni heshtjen shumë, atëherë kur nuk duhet heshtur, d.m.th. heshtni para padrejtësive dhe nuk reagoni ndaj tyre.
“Kur isha studente e drejtësisë, vazhdoi zonja Hoffman, profesori ynë i drejtësisë e mori një veprim të tij dhe e analizoi me ne studentët që na ligjëronte. Na e ilustroi një veprim të padrejtë të tij aty për aty, për të cilin ne studentët heshtëm.
Profesori i të “Drejtës Ligjore”, e pyeti një student:”Si e ke emrin?”
Pasi i tregoi studenti, profesori i nervozuar i bërtiti të dalë jashtë, pa asnjë arsye. Studenti kërkoi arsyen e përjashtimit nga ora, dhe mundohej të mbrohej, sepse vërtetë ishte i pafajshëm, por profesori nguli këmbë dhe e nxori nga ligjërata jashtë.Të gjitha përpjekjet e studentit për të kërkuar pafajësi, shkuan huq.
Ne, të tjerët studentë sa ishim, heshtëm.
Profesori vazhdoi ligjërimin, tashmë me një pyetje drejtuar studentëve për vendosjen e ligjeve:
“Pse i vendosim ligjet?”-pyeti profesori.
Një student tha se “ligjet vendosen për t’i kontrolluar veprimet e njerëzve!”
Një tjetër tha:”Për tu zbatuar”. Një tjetër:”Për të mos i bërë padrejtësi i forti të ligut!”
Profesori tha:”Mirë, por vetëm kaq nuk është e mjaftueshme!”
Njëri nga studentët e pranishëm tha:”Derisa të realizohet drejtësia!”
Profesori tha:”Po, kjo është përgjigja”!
Tash:”Çfarë, është dobia e drejtësisë?”- pyeti sërish profesori:
Njëri nga studentët tha:”Të ruhen të drejtat e njerëzve dhe mos t’i bëhet askujt padrejtësi!”
Dhe profesori tha:”Tash përgjigjuni pa frikë: a i bëra padrejtësi unë më parë shokut tuaj kur e nxora jashtë pa faj?!”
Të gjithë tham në sallë njëzërit: PO!
Profesori i hidhëruar tha:”Pse pra atëherë heshtët ndaj padrejtësisë, e nuk vepruat diçka?!
Çfarë dobie ka vendosja e ligjeve, nëse nuk kemi guxim t’i zbatojmë ato…?! Nëse ju heshtni kur dikujt i shkilet e drejta, duke mos e mbrojtur atë, keni humbur njerëzoren tuaj.Në fakt njerëzorja është e panegociushme të eliminohet dhe këtë duhet ta kuptoni!
Pastaj profesori, ftoi studentin që e nxori jashtë në fillim të ligjëratës dhe i kërkoi falje para të gjithëve, duke thënë:
” Ky është mësimi për sot! E juaja mbetet ta realizoni në shoqërinë ku jetoni sa të jeni gjallë. Ta kuptoni vetë dhe t’ua mësoni të tjerëve”- përfundoi rrëfimin e saj zonja Hoffman, më shkruan fqiu im nga Heidelbergu.
A ka shpjegim më të mirë për të kuptuar drejtësinë dhe mbrojtur atë dhe a mund të krahasohet një drejtësi e tillë e kërkuar dhe e mbrojtur para gjykatësve, prokurorëve e avokatëve tonë, të cilët edhepse të paguar, jo bash keq për të mbrojtur drejtësinë dhe për të denoncuar të kundërtën e saj, mbyllin sytë qëllimisht, sepse vihen në shërbim të së keqës, padrejtësisë dhe atyre që i paguajnë dhe i kanë futur në inganazhet e tyre të interesave të shumta, e më së shpeshti të atyre që ua tundin para hundëve qesen e parave, për të cilat ata janë në gjendje të shkelin çdo normë njerëzore e ligjore, pa çka pse bashkë me to shkelin edhe ndërgjegjen e tyre nëse e kanë.