Kurdo dhe kudo që punoi, Uka dëshmoi dije, guxim, përkushtim dhe dinjitet!

31.10.2017 10:36:28
(Nekrologji për Ukën, kushën nga Semetishti:

15 vite, pa intelektualin, veprimtarin, humanistin, pajtimtarin, kryetarin e Therandës, Ukë Bytyçin)

Nga Jusuf M. Bytyçi

Prishtinë, 27 tetor

Pikërisht sot, 15 vjet, më parë, Therandën, gjithë banorët e saj, pati pllakosur dhembje e madhe, heshtje e thellë, pasi më 27 tetor, të vitit 2OO2, një dorë njeriu të ligë, dalë nga kontrolli dhe padyshim nën ndikimin e vlimeve ekstreme politike të pas luftës në Kosovë, pati shuar paturpësisht jetën e kryetarit të Komunës së Therandës, ish-Suharekës dhe njëherësh kryetarit të Degës së LDK-së në këtë komunë. Pesëmbëdhjetë vjet më parë, u vra njeriu personalitet i njohur, më i autoritetshëm dhe i dashur jo vetëm në Therandë e rrethinë. Vrasja makabre e Ukë Bytyçit, dhe e dy shoqëruesve të tij, Bajram dhe Bafti Bytyçi, ndodhi një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të dyta të lira komunale, fituese e të cilave ishte LDK-ja dhe kryetari Ukë Bytyçi.

Vrasja makabre ndodhi derisa aktivistë, anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së në këtë komunë po festonin në mënyrë dinjitoze fitoren bindëse dhe të padiskutueshme në komunën e Therandës. Akti si i tillë, qe vlerësuar si akti më i shëmtuar, që pati pllakosur për të satën herë në vaje e dhimbje zemrat e familjeve, farefisit, të afërmve, miqve, shokëve, bashkëluftëtarëve dhe të gjithë shqiptarëve kudo. Vrasja e burrit të madh të Kosovës, siç ishte Ukë Bytyçi, një ditë pas zgjedhjeve lokale, ishte vlerësuar si vrasje e votës së lirë dhe aspiratave të popullit shqiptar në Kosovë. Ky akt ishte vlerësuar si atentat mbi demokracinë dhe procesin e Pavarësisë së Kosovës. “Ky akt, është goditje e rëndë mbi lirinë dhe varret e mijëra dëshmorëve tanë të cilët dhanë jetën e tyre për çlirimin e Kosovës, por për ta shijuar lirinë e saj në mënyrën e denjë, ashtu siç i ka hije një populli liridashës”.

Ukë Bytyçi, dha tërë atë që kishte për të mirën e popullit të vet. Ai me tërë qenien e tij, qoftë para luftës, në kohën e luftës për Liri dhe pas saj, punoi me përkushtim, me dije dhe me guxim për çlirimin, përparimin dhe pavarësinë e Kosovës, për mirëqenien dhe të ardhmen e qytetarëve.

Më 27 tetor, 2OO2, qe vrarë një trim, një ish–ushtar, ish epror i UÇK-së, një hero i lirisë së Kosovës. Akti i ulët, shndërroi festën dhe atmosferën e zgjedhjeve të qeta e të lira lokale, në atmosferë pikëllimi, në funebre kombëtare.

Pos që ishte kryetar i Degës së LDK-së dhe kryetar i Kuvendit Komunal të Therandës-ish Suharekës, ishte njeri personalitet, i respektuar edhe nga oponentët politikë, ngase kishte shumë autoritet në popull. Ai, njihej edhe jashtë Komunës së tij si njeri i dëshmuar për humanizëm, atdhetari, për guxim, vendosmëri dhe gatishmëri për sacrificë!

Uka, i lindur dhe i rritur në Semetisht, i edukuar, arsimuar dhe i përgatitur mirë në Therandë dhe Prishtinë, dëshmoi afërsi dhe sjellje të dinjitetshme mes qytetarëve në mjedisin ku jetoi dhe punoi.

Uka, simbol i një gatishmërie për sakrificë

Pavarësisht nga rrethanat e rënduara politike të viteve 8O-ta e të nëntëdhjeta, Ukë Bytyçi u bë simbol i një gatishmërie për sakrificë, duke kundërshtuar trysnitë dhe vendimet arbitrare e të dhunshme të ish-regjimeve serbo-jugosllave. Ukë Bytyçi, ishte njëri nga dhjetë ish-delegatët e guximshëm të Kvendit të Kosovës, që kundërshtuan hapur dhe me votë Serbinë, kundër ndryshimeve Kushtetuese më 1989 në Kosovë. Në vitin 1993, kohë e trysnive të shumta të regjimit serb të Milosheviqit në Kosovë, Ukë Bytyçi, ishte arrestuar dhe dënuar me 5 vjet burg, si pjesëtar i Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Megjithatë, Uka sfidoi torturat e burgut dhe regjimit më sadist që njeh Ballkani. Ai fill pas daljes nga burgu, vazhdoi punën dhe veprimtarinë politike dhe atdhetare. Qëkur nisën krismat e pushkëve të lirisë, Ukë Bytyçi, pa hezituar, mori pushkën dhe doli në krye të detyrës, sepse sërish e kishte autoritetin dhe besimin e popullit. Që në maj 1998, Uka, i pati thënë hapur ish-presidentit dhe njëherësh kryetarit të LDK-së Dr. Ibrahim Rugova, se “jam bërë pjesë e organizimit të armatosur në komunën e Suharekës, dhe se mund të shihemi vetëm nëse do ta përjetoj lirinë”. “Urime, shëndet dhe suksese në organizimin e ri. Ndihmojeni këtë organizim dhe mos lejoni konfrontime, Kosova është e të gjithëve që mund të kontribuojnë”, qe shprehur presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Uka si ushtar i lirisë ishte njëri ndër komandantët më të shquar të UÇK-së në Kosovë.

Ukë Bytyçi, kusha im, me të cilin njihesha goxha gjatë, edhe udhëtonim bashkë, takoheshim edhe në luftë, në Semetisht, Karvansari, Nishor dhe lokalitete e zona të tjera të luftës në ZOP. Me Ukën realizoja më shpesh intervista për zhvillimet luftarake në kuadër të Brigadës 123 të Zonës Operative të Pashtrikut-ZOP, pasi ishte përgjegjës për informim-komunikim dhe moral.

Uka, personalitet, udhëheqës karizmatik dhe i respektuar

Dhe e deshi fati dhe Uka me pushkë në dorë e përjetoi lirinë e Kosovës dhe dëbimin e forcave okupuese serbe, forcave policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe. Pas përfundimit të luftës, Uka, iu kthye jetës civile dhe realizimit të aspiratave me mjete politike dhe sërish u dëshmua njeri personalitet dhe me autoritet të pakontestueshëm në popull. Në zgjedhjet e para të lira komunale më 2OOO Uka fitoi bindshëm dhe si kryetar i Kuvendit Komunal realizoi projekte të shumta. Ngase u dëshmua i suksesshëm dhe njeri me vizion dhe i përkushtuar, LDK-ja e kandidoi edhe për zgjedhjet e dyta të lira komunale të tetorit të vitit 2OO2 dhe prapë fitoi bindshëm.

Por, tani, shpirtligët nuk e deshën të zgjedhurin e popullit dhe as vlerat e luftës për Liri!

E vranë Ukën, sepse, dikujt i pengonin sukseset e këtij njeriu personalitet, këtij udhëheqësi karizmatik, të respektuar dhe me autoritet të pakontestueshëm në popull. Uka ishte dëshmuar për angazhim, për kontribut, për vizion, për guxim, angazhim institucional dhe vendosmëri për të avancuar proceset politike-institucionale të së ardhmes së qytetarëve në Kosovën e Lirë.

E pra, ngase ky përvjetor rastisi të jetë edhe kohë e vlimeve politike të pas zgjedhjeve lokale të 22 tetorit, që në Therandën e Ukës duhet edhe një votim më 19 nëntor, ju qytetarë më të drejtë vote, kujtohuni mirë, kujtoni mirë dhe qartë Ukën, dhe vendosni! Dilni dhe votoni pa hamendje kryetarin e deritashëm, pasuesin e dinjitetshëm dhe personalitet i dëshmuar, doktor Salih Asllanin. Ai e vazhdoi më së miri rrugën, amanetin e Ukës, derisa të tjerët, përmes mashtrimeve se “janë shokë të ish-kryetarit”, patën futur perçarje në LDK, duke përfituar votën e zgjedhësve të LDK-së, dhe bashkë me zgjedhësit e luhatshëm, u konvertuan në AAK!

Lavdi jetës dhe veprës së atdhetarit, ish-kryetarit Ukë Bytyçi!