Kurthi i empatisë

15.12.2016 17:40:53

Nga Peter Singer

Pak kohë pas zgjedhjes si president, Barack Obama i tha një vajze: “Ne nuk kemi mjaftueshëm solidaritet në botë sot dhe i takon brezit tënd ta ndryshojë këtë”. Obama shprehu një pikëpamje të përhapur, ndaj titulli i librit të ri të psikologut të Universitetit Jeills, Paul Bloom, “Kundër Empatisë” vjen si shok. Si mundet dikush të dalë kundër diçkaje që na bën ta vëmë veten në këpucët e tjetrit dhe të ndjejmë atë që ai/ajo ndjen? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, ne duhet të pyesim diçka tjetër: Për kë duhet të kemi empati? Teksa Donald Trump përgatitet për të pasuar Obamën, analistët sugjerojnë se Hillary Clinton i humbi zgjedhjet e muajit të kaluar për shkak se nuk kishte emapti te amerikanët e bardhë, veçanërisht te votuesit e Amerikës Veri-Lindore të cilët kanë nostalgji për kohën kur SHBA ishte një fuqi prodhuese. Problemi është se empatia për punëtorët amerikanë është në tension me empatinë me punëtorët në Meksikë dhe Kinë, të cilët do të jenë me keq akoma pa punë sesa janë homologët e tyre amerikanë. Empatia na bën më të sjellshëm ndaj njerëzve me të cilët ndajmë ndjesinë e kuptimit dhe ndjenja të njëjta. Kjo është gjë e mirë, por ka gjithashtu një anë të errët. Trump, në fjalimet e fushatës së tij, përdori vrasjen tragjike të Kate Steinle nga një imigrant pa dokumente për të marrë mbështetje për politikat e tij anti-imigrante. Ai nuk ofroi asnjë portretizim të ngjashëm për imigrantët e padokumentuar të cilët kanë shpëtuar jetët e të panjohurve, megjithëse raste të tilla janë raportuar. Kafshët me sy të mëdhenj nxisin më shumë empati sesa pulat, te të cilat ne shkaktojmë më shumë vuajtje. Njerëzit mund edhe të hezitojnë të “dëmtojnë” robotët që dihet se nuk mund të ndjejnë asgjë. Nga ana tjetër, peshqit – të ftohtë, të rrëshkitshëm dhe pa mundësinë për të bërtitur – shkaktojnë pak empati, siç argumenton Jonathan Balcombe te “Çfarë di një peshk”, ku ka shumë prova se ata ndjejnë po aq dhimbje sa shpendët dhe gjitarët. Po kështu, empatia me një grup fëmijësh që janë, ose dëmtohet se janë, dëmtuar nga vaksinat shkakton rezistencë të madhe ndaj vaksinimit të fëmijëve kundrejt sëmundjeve të rrezikshme. Si rezultat, miliona prindër nuk i vaksinojnë fëmijët e tyre dhe qindra fëmijë sëmuren, ku shumë nga të prekurit ndonjëherë kanë pasoja fatale, nga sëmundje që do të ishin luftuar nga vaksina. Empatia mund të na bëjë të veprojmë në mënyrë të padrejtë. Subjektet në një eksperiment dëgjuan një intervistë me një fëmijë të sëmurë në mënyrë të pashërueshme. Disave iu tha të përpiqeshin të ishin sa më objektiv të ishte e mundur, ndërsa të tjerëve iu tha të imagjinonin se çfarë ndjente fëmija. Të gjithë u pyetën më vonë nëse donin ta ngjisnin fëmijën lart listës së pritjes për trajtim, përpara fëmijëve të tjerë që ishin vlerësuar si me prioritet më të lartë. Tre e katërta e atyre që iu tha të imagjinonin se çfarë ndjente fëmija e bënë kërkesën, krahasuar me një të tretën e atyre që iu kërkua të ishin objektivë. “Një vdekje është tragjedi; një milionë është statistikë”. Nëse empatia na bën më të favorizueshëm ndaj individëve, numra të mëdha e kufi zojnë ndjenjën që duhet të ndjejmë. OJF-ja me bazë në Oregon, Kërkimi i Vendimit ka krijuar së fundmi një uebsajt, ArithmeticofCompassion.org, që synon të shtojë aftësinë tonë për të komunikuar informacionin rreth problemeve të shkallës së gjerë pa shkuar te “mprija prej numrave”. Në një periudhë ku historitë e jetës së njerëzve bëhen virtuale dhe ndikojnë politikën publike, është e vështirë të mendojmë për ndonjë gjë më të rëndësishme sesa ndihmesa e kujtdo që të shohë panoramën e plotë. Të jesh kundër empatisë nuk do të thotë të jesh kundër dhembshurisë. Në një nga seksionet më interesante të Kundër Empatisë, Bloom përshkruan se si ai mësoi rreth ndryshimit që ka empatia me dhembshurinë nga Matthieu Ricard, murgu budist që dikur përshkruhej si “njeriu më i lumtur në botë”. Kur neuroshkencëtarja Tania Singer (pa lidhje me mua) e pyeti Ricardin të kryente “meditim mbi dhembshurinë” ndërsa truri i tij skanohej, ajo u çudit që nuk gjeti aktivitet në zona të trurit të tij ku normalisht ka aktivitet në rast se njerëzit krijojnë empati me dhimbjen e të tjerëve. Ricard mundej, nëse i kërkohej, të krijonte empati me dhimbjen e të tjerëve, por ai e pa këtë si të pakëndshme dhe të shterruese; përkundrazi, ai e përshkroi meditimin mbi dhembshurinë si “një gjendje pozitive dhe të ngrohtë që lidhet me një motivim të fortë prosocial”. Singer gjithashtu i trajnoi disa persona që nuk meditonin të kryenin meditim dhembshurie, duke menduar në mënyrë të sjellshme rreth disa personave, duke fi lluar me dikë të afërt me atë që meditonte dhe pastaj duke kaluar te të panjohurit. Një trajnim i tillë mund të çojë në sjellje më të mirë. Meditimi i dhembshurisë është i afërt me atë që ndonjëherë quhet “empatia konjitive”, sepse përfshin mendimin tonë dhe kuptimin ndaj të tjerëve, në vend të ndjenjave. Kjo na çon në mesazhin final të rëndësishëm të librit të Bloom: mënyra në të cilën shkenca e psikologjisë vepron ka çuar në uljen e rolit të arsyetimit në jetët tona. Kur kërkuesit tregojnë se një pjesë e zgjedhjeve dhe qëndrimeve tona që në dukje janë bërë me kujdes, mund të ndikohen nga faktorë të parëndësishëm si ngjyra e murit, aroma në dhomë apo prania e një solucioni për pastrimin e duarve, zbulimet e tyre publikohen në revista psikologjie dhe mund edhe të dalin në media të njohura. Kërkimi që tregon se njerëzit marrin vendime bazuar mbi prova të rëndësishme është më i vështirë të publikohet dhe ka më pak publicitet. Ndaj psikologjia ka një paragjykim të brendshëm kundër pikëpamjes se ne i marrim vendimet në mënyra të ndjeshme. Pikëpamja më pozitive e Bloom për rolin e arsyes përputhet me atë që unë mbaj për të kuptuar me korrektësi etikën. Empatia dhe emocione të tjera na motivojnë të bëjmë çfarë është e drejtë, por ato mundet po ashtu të na motivojnë të bëjmë çfarë është e gabuar. Duke marrë vendime etike, aftësia jonë për të arsyetuar luan një rol kritik.