Kurthi i rrezikshëm i Hashim Thaçit me referendum

06.09.2018 22:44:31

Nga Rexhep Kastrati

Hashim Thaçi për të satën herë po e përmend referendumin si mënyrë dhe procedurë për ratifikimin e të ashtuquajturës marrëveshje përfundimtare me Serbinë, duke dashur të krijojë përshtypjen se do t’ia lërë në dorë qytetarëve të vendosin përfundimisht.

Mirëpo, janë disa elemente që çështjen e referendumit e shquajnë si një kurth të rrezikshëm të Hashim Thaçit për të mashtruar opinionin, por edhe për të hapur ndryshimet e kushtetutës për shumë çështje të tjera të dëmshme për Kosovën.

Elementi i parë që e shquan kurth çështjen e referndumit i referohet Marrëveshjes së Parë të vitit 2013, ku vihen themelet e Asociacionit, dhe për pasojë edhe në Marrëveshjen e vitit 2015 për Asociacionin. Në atë marrëveshje ishte shkruar se Statuti i Asociacionit do të drëgohej në Gjykatën kushtetuese nga ana e Qeverisë para miratimit të tij, por në fakt,  u dërgua në Bruksel duke u anashkaluar institucionet e Kosovës. Pra, klauzola se Qeveria do ta çonte në Gjykatën kushtetuese, po del të ketë qenë një kurth.

Edhe me Marrëveshjen e përfundimtare mund të ndodh njësoj, duke pasur edhe reagimin e Serbisë që ta imponojë nëpërmjet bashkësisë ndërkombëtare.

Përkundër këtyre, vetë çështja e referendumit është mjaft e ndërlikuar dhe nuk mund tëndodhë pa ndryshimet kushtetuese. Për të ndryshuar kushtetutën, duhen votat e pakicave, sidmos e serbëve, të cilët votën e tyre do ta kushtëzonin me ndryshime që do të përfshinin përcaktimet dhe kompetencat e Asociacionit të shkruara në dokumentin fillestar, por edhe me çështje të tjera siç është çështja e transfomimit të FSK-sënë FA, me ç’rast do të kërkonin ushtri të serbëve të Kosovës.

Duhet thënë se Kosova nuk ka ligj për referendum dhe nuk është bërë deri më tash për shkak të pikës 3 të nenit të parë tëkushtetutës së Kosovës, sipas të cilës Kosova nuk mund të bashkohej me ndonjë shtet, pjesë të ndonjështeti po me ndonjë union. Pra, në Kosovë nuk mund të ketë ligj për referendum, i cili do të përfshinte pikërisht çështjet për të cilat po angazhohet Hashim Thaçi me Aleksandër Vuçiqin, siç janë ndarja e Kosovës sipas skenarëve ukrainas, si shkëmbim territoresh apo si korrigjim i kufijve.

Një element tjetër që e bën çështjen e referendumit kurth ka të bëjë që të hapet kështu edhe çështja e ndryshimit të kufijve në frymën e platformës së  Boris Tadiqit për bashkimin e shqiptarëve me shtetin shqiptar, e bashkimi i serbëve me Serbinë, e që në politikën tonë e përfaqëson Albin Kurti.

Në këtë kontekst, me referendum, serbët do të kërkonin të deklaroheshin për bashkim me Serbinë, ndërkohë që shqiptarët do të deklaroheshin për bashkim me shtetin shqiptar.

Me referendum, serbët do të deklaroheshin edhe për kompetencat e Asociacionit, por edhe për shumë çështje të tjera që do të cenonin funksionlitetin e shteti të Kosovës.

Pra, çështja e referendumit del të jetë një krrem, një kurth për të joshur dhe manipulur opinionin, mbrapa të cilës fshihen shumë mistere dhe shumë rreziqe që nuk mund t’u dihet fundi.