Kurti: Adem Demaçi është disidenti më i madh evropian pas Luftës së Dytë Botërore

26.07.2019 14:15:15

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë homazhe te varri i Adem Demaçit, në njëvjetorin e ditës kur ai ndërroi jetë.

Kurti ka thënë se, Adem Demaçi është disidenti më i madh evropian pas Luftës së Dytë Botërore.

“28 vjet në burg. I pathyeshëm. I palodhshëm. Pas secilës burgosje e dënonin më shumë, e mbanin më gjatë. Njëherë 3 vjet, mandej 10 vjet, pastaj 15 vjet”.

Ai ka thënë se Adem Demaçi ishte vetëmohim me paramendim.

“Ai e dinte që populli i shtypur ekziston për aq sa reziston. Filloi si gazetar, shkrimtar dhe intelektual i ri, e kulmoi si Përfaqësues i Përgjithshëm Politik i UÇK-së. Nuk mohonte të arriturat mirëpo vinte theksin tek ajo që ende ngelet e parealizuar. Ecte veçse përpara, për shkak të dashurisë së madhe. Nuk shikonte prapa, sepse s’urrente fare”.

Tutje Kurti, ka pohuar se jetën e tij Baca Adem e kuptonte si shërbim për popullin shqiptar.

“Ai nuk kishte shpërputhje midis mendimit dhe fjalës dhe sjelljes dhe veprimit. Është veprimtari më unik që kemi pasur, sepse është veprimtari më autentik që mund ta imagjinosh.

“I papërsëritshëm. Të gjithë veprimtarët e tjerë janë frymëzuar prej tij. Shumë gjëra i kemi mësuar prej Bacës Adem, dhe shumë gjëra në politikë që nuk e dimë prej nga i dimë, sërish i kemi mësuar prej tij”, ka shkruar Kurti në Facebook.