Kurti: Balaj e Xheladini u vranë pse donin një republikë të barabartë

10.02.2018 16:34:12
Data e 10 shkurtit është ankorim i së ardhmes, kështu u tha sot në tribunën “Pavarësia nga pakoja e Ahtisaarit: Kufizimet dhe Pasojat” të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në përkujtim të vrasjes së Arben Xheladinit dhe Mon Balaj në protestat e 10 shkurtit të vitit 2007.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, tha se pakoja e Ahtisaarit ishte shkruar në llogari të sovranitetit të Kosovës.

Ai tha se Arben Xhaldini dhe Mon Balaj u vranë sepse ishin për republikë të barabartë për të gjithë.

“Ata u vranë sepse ishin për republikën, ata e deshën një republikë të barabartë si të gjithë. Moni e Arbeni dolën në demonstratë jo për të kërcënuar dikë, por kërkonin respektimin e të drejtës tonë për të ndërtuar shtetin tonë brez pas brezi. Ne jemi lidhur me një betim që ta qojmë amanetin e tyre deri në fund. Ne duhet të jemi serioz në punën tonë dhe të mos vonohemi kurrë. Kosova është lodhur prej atyre që u mungon respekti për historinë”, tha ai.

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje tha se 10 shkurti nuk ka ndodhur ende në Kosovë.

“Kjo ngjarje ka ankoruar të ardhmen tonë. Po ja jap vetës të drejtën të rrezikoj, unë mendoj që 10 shkurti nuk ka ndodhur ende. 10 shkurti është potencialitetit i pashtershëm i lirisë. Kjo datë nuk është kontabilitet historik, kjo vendos kauzën”, tha Konjufca nga kjo tribunë

.Ndërsa, Albulena Haxhiu deputete në Lëvizjen Vetëvendosje tha se ngjarjet si 10 shkurti i bezdisin mendimtarët e koncensusit.

“Themeli i Republikës tonë është përpjekja e pandalur për çlirim e bashkim. Kushtetuta që buron nga plani i Ahtisaarit përshkruan mungesën e sovranitetit në Kosovë. Thuhej që EULEX mban autoritetin ekzekutiv. Kushtetuta prej Ahtisaarit qëllimin kryesor e kishte mohimin e identitetit shqiptar”, tha Haxhiu.