Kurti: Mësimdhënësit ta vazhdojnë grevën me kusht që ta vendosin theksin te zvogëlimi i pagave të oborrit qeveritar

22.01.2019 12:20:01

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti duke komentuar grevën e SBASHK-ut në arsim, ka thënë se në këtë situatë të dyja palët kanë të drejtë.

Ai nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se prindërit janë të shqetësuar për humbjen e mësimit, kurse mësimdhënësit për paga të ulëta.

Sipas Kurtit, pala e tretë që ai e vlerëson si fajtore është Qeveria e Kosovës.

“Më e vështirë sesa situata ku të dy palët e kanë gabim, është ajo ku të dy palët kanë të drejtë. Prindërit janë të brengosur që fëmijët po u mbeten pa mësim, kurse mësimdhënësit janë të brengosur se po mbeten me paga të ulëta. Paradoksi vjen nga reduktimi i kontekstit. Kundërthënia është e rrejshme, jo pse mësimdhënësit janë edhe prindër ndërkaq edhe prindërit mësojnë fëmijët, por sepse e treta palë është e vërteta: qeveria. Ajo vlerëson shërbyesit politikë dhe jo shërbyesit publikë. Ajo don të zbusë ca varfërinë e mësimdhënësve që të mos merret me pabarazinë karshi tyre”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka thënë se mësimdhënësit duhet ta vazhdojnë grevën, me kusht që të synojnë zvogëlimin e pagave në qeveri.

Kurse thotë se prindërit duhet ta kundërshtojnë, që të vendosin theksin te rritja e cilësisë në arsim.

“Cila është zgjidhja? Mësimdhënësit ta vazhdojnë grevën me kusht që ta vendosin theksin te zvogëlimi i pagave të oborrit qeveritar, ndërsa prindërit ta vazhdojnë kundërshtimin me kusht që ta vendosin theksin te rritja e cilësisë në arsim. Ndjeshmëria ndaj varfërisë nuk e zëvendëson ndershmërinë për barazi. E, siç thotë populli ynë, kot mbushen mend ata që janë mbushur haram”, përfundon postimi i Albin Kurtit.

Grevën e ka përkrahur edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Ai ka thënë se duhet të ndryshohet Projektligji i pagave, që sipas tij duhet të hartohet në konsultim me të gjithë sektorët.