Kurti takon Sarnez në Francë – Kosova e gatshme për zhvillimin e një partneriteti të ngushtë e strategjik me Francën

07.11.2019 21:56:24

Kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti ka takuar në Paris kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Asamblenë Nacionale të Francës,  Marielle de Sarnez.

Kurti përmes një shkrimi të bërë në Facebook ka bërë të ditur se  Marielle de Sarnez ka uruar atë për fitoren në zgjedhjet parlamentare.

“Ajo më uroi për fitoren në zgjedhjet e 6 tetorit dhe e theksoi dëshirën dhe nevojën që të thellohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Francës dhe Kosovës. I shoqëruar nga ambasadori ynë, z. Qëndrim Gashi, e falënderova znj. de Sarnez për ndihmën e rëndësishme që Franca i ka dhënë Kosovës ndër vite, në kohë lufte e paqe, për siguri dhe zhvillim. Nënvizova gatishmërinë e Kosovës për zhvillimin e një partneriteti të ngushtë e strategjik me Francën në fusha me interes reciprok”, ka shkruar Kurti, transmeton Telegrafi.

Kurti ka shkruar se kryetaren de Sarnez  e ka njoftuar  edhe për zhvillimet në vend dhe rajon si dhe për programin qeverisës.

“Kryetaren de Sarnez e njoftova edhe për zhvillimet në vend dhe rajon si dhe për përgatitjet tona për programin qeverisës që i përgjigjet vullnetit, të drejtave dhe kërkesës së qytetareve për rend e ligj, luftë kundër korrupsionit, zhvillim ekonomik dhe arsim cilësor”, ka pohuar ai.