Kurti thotë se muri shtynë bashkimin e Mitrovicës deri në pafundësi

23.12.2016 20:31:23

Shtratin për ta ndërtuar murin në Veri të Mitrovicës e ka shtruar Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa kur nënshkroi marrëveshjen dhe pranoi që ajo pjesë të bëhet shëtitore, ka thënë Albin kurti, në fjalën tij në Kuvendin e Kosovës ku po diskutohet për murin në veri.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë që tashmë ndërtimi i murit s’është çështje ndarjeje, sepse, sipas tij, ndarja ka ndodhur qysh moti, por ky mur shtynë bashkimin e Mitrovicës drejt pamundësisë.

“Muri është aty për ta pamundësuar edhe më shumë bashkimin, ndarja është bërë më herët. Ne dialogu për normalizim na abnormalizoi”, pohoi Kurti.

Ai ka folur edhe për faktin se përse ShIK-u, që sipas tij ka qenë shumë aktiv në Mitrovicë, asnjëherë s’u ndesh me strukturat paralele.

“SHIK-u e Serbia kanë qenë më të fuqishmit në Mitrovicë, porse luftë me njëra tjetrën nuk bëjnë, besoj e keni vërejtur”, tha ai.

Ndërsa duke folur për politikanët Kurti tha se “historia e popullit tonë po përfundon e privatizuar në biografi personale”.