Kusari-Lila: Pal Lekaj e solli në Gjakovë shtatoren e Fadil Hoxhës

14.04.2017 19:37:04

Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, ka reaguar lidhur me shtatoren e përfolur të Fadil Hoxhës, pas të cilës thotë se qëndron ish-kryetari, Pal Lekaj e legjislatura e kaluar lokale në këtë qetet.

Ajo këto komente i bëri në emisionin, InfoBox të RTV Dukagjinit, duke e përjashtuar mundësinë që ta rikthejë prapë për votim.

“Një herë e përgjithmonë të sqarojmë. Vendimi për ngritjen e shtatores së Fadil Hoxhës dhe Anton Çetës, është marrë nga asambleja e vitit të kaluar në vitin 2013. Pra nga Pal Lekaj dhe asambleja e kaluar. A është bërë për çështje fushate apo nuk është bërë, le të përgjigjen ata”, tha ajo.

Për zhvillimet e fundit në vend, Kusari-Lila tha se përfaqësuesi i tyre në Kuvend, Ilir Deda do ta jap nënshkrimin e 40 për mocion mosbesimi, por që nuk i pëlqen ideja e shkuarjes në zgjedhje për 45 ditë.

Ajo thotë se subjekti ku është edhe bashkëthemeluese, Alternativa, ofron idenë e një qeverie teknike, deri në zgjedhjet që do të mund të  mbaheshin në fundvit apo në pranverën tjetër.

“Kjo zgjidhje do të përfshijë një spektër të gjerë shoqërorë e politikë, për të dal nga kriza. Me një kryeministër konsensual jo-politik. Që do të thotë se nuk do të jetë përfaqësues i partive politike. Nëse  ka interesim të partive politike dhe është interesi i qytetarëve, atëherë do të dakordohen që të kemi një qeveri profesionale, dhe që dikaster aktual, do të reduktohen gjithsesi”, tha ajo.

Ajo edhe një herë konfirmoi se do të jetë kandidate për një tjetër mandat për kryetare të komunës që udhëheq.