Tashmë është e qartë: mbrapa angazhimeve për destabilizimin e Kosovës qëndron Serbia

08.09.2016 16:36:12

Nga Rexhep Kastrati

Para pak orësh u shpërnda një komunikatë i të ashtuquajturit Ekip Menaxhues i Asociacionit, në të cilën binte në sy se të gjithë katër anëtarët e tij ishin serbë, dhe për më tepër mundohet të bëhet diversion mbi Qeverinë e Kosovës. Përmbajtja e tekstit ishte e tillë që vinte theksin te Qeveria e Kosovës, e cila gjoja paska marr vendim urgjent për të formuar këtë Ekip. Është e qartë se Beogradi po shkon në të njëjtat nivele të sektës okulte të Albinit, e cila vazhdimisht ka akuzuar Qeverinë e Kosovës si tradhtare dhe me akuza të ngjashme. Dhe taktika e Serbisë për të trilluar një vendim të Qeverisë së Kosovës për një Ekip për Menaxhimin e Asociacionit, dhe atë në mënyrë të papritur, madje të përbërë vetëm nga serbët, në fakt vjen në ditën kur në Bruksel po zhvillohen negociata për targat, dhe një ditë para se të diskutohet për Asociacionin, me synimin që të bëjë të besueshëm këtë trillim, por edhe si trysni ndaj delegacionit të Kosovës që ndodhet në Bruksel. Është e qartë se kjo vjen edhe si rezultat i konfliktualitetit politik dhe shoqëror rreth demarkacionit, por edhe si rezultat i urdhërit që Beogradi ua ka dhënë kuvendarëve serbë të Kuvendit të Kosovës që të mos bëjnë kuprumin për seancën plenare të 1 shtatorit.

Edhe pse ky lajm i trilluar erdhi jashtë kontesktit socio-politik në Kosovë, pasi që kryeministri Mustafa ishte deklaruar se Asociacioni mund të bëhet vetëm me vendim të Qeverisë dhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, megjithatë Serbia nuk devijoi edhe kësaj radhe nga përdorimi i gënjeshtrës së virtyt kombëtar të Serbëve. Nëse kjo shihet në kontekst më të gjerë, atëherë duhet të kuptohet se edhe kjo ishte një përpjekje për të ndikuar në nxitjen e forcave politike shqiptare, tashmë e mbetur gati vetëm sekta okulte e Albinit, që të plotësojnë retorikën e saj kundërshtetërore dhe të thellojnë angazhimet anarkiste, ashtu siç ishte provokimi që vitin e kaluar ka bërë Aleksandar Jablanoviqi me fyerjen ndaj nënave gjakovare. Pra, lajmi i sotëm i trilluar për një vendim të Qeverisë së Kosovës për gjoja themelimin e një Ekipi për Menaxhimin e Asociacionit, është një provikim, sikurse që ishte fyerja e Jabllanoviqit vitin e kaluar, për të nxitur forcat anarkiste kundërshtetërore për të destabilizuar vendin.

Në këtë mënyrë, të gjithë ata që ende dyshojnë se nuk qëndron Serbia mbrapa angazhimeve për destabilizimin e Kosovës, dhe se nuk është sekta okulte e Albinit pjesë e skenarëve serbo-rusë për destabilizimin e Kosovës, tashmë nuk kanë arsye të dyshojnë më. Ditëve në vazhdim do të dalin angazhime të tjera për destabilizimin e Kosovës, e që do ta kenë në qendër çështjen e demarkacionit dhe të Asociacionit, si mënyra për të nxitur veprime anarkiste, por do të dështojnë, për faktin se Kosova, përkundër problemeve të shumta, është aq e konosliduar sa të mos lejojë destabilizim të vendit. Kryeministri Mustafa për të satën herë brenda një viti ia ka shtrirë dorën partive opozitare për të biseduar dhe për të argumentuar qëndrimet për çështjet e tilla si demarkacioni dhe Asociacioni, që mund të çojë në ndonjë rishikim të pozicioneve të palëve dhe drejt një marrëveshje të brendshme politike për këto çështje. Dhe një nga arsyet që mund ta ketë shtyrë Serbinë të dalë me një trillim të tillë, mund të jetë edhe frika nga marrëveshja politike brendashqiptare për çështjen e demarkacionit. Kjo marrëveshje eventuale do ta linte sektën okulte të Albinit të vetmuar dhe të pafuqishme kundrejt partive të tjera dhe institucioneve shtetërore.