Kush e solli lëmshin me “trazira politike” për ndarjen e Kosovës?!

29.07.2018 19:23:18
A mund të jetë keqinterpretim apo ka diçka reale në gjithë këtë lëmsh të krijuar askush s’po mund ta sqarojë.

Është “faji” i ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, i cili në një emision televiziv nuk e mohoi mundësinë që në Bruksel të diskutohet me Serbinë për çështjen e territoreve.

E pas kësaj shpërthyen reagimet, shkruan lajmi.net.

Ishte kryetari i Partisë Socialdemokrate, njëherësh edhe kryetar i Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili i quajti rrezik të madh deklaratat jo të prera të Delawies, në lidhje me atë se çfarë do të diskutohet në dialogun Kosovë – Serbi.

“Sipas ambasadorit Delawie (Rubikon) çdo gjë në dialog është e diskutueshme, pra edhe ndarja edhe shkëmbimi edhe çdo opsion tjetër. Ky është ndryshim fondamental i qëndrimit amerikan. Kosova po hyn në fazë të rrezikshme dhe tash më shumë se kurrë nevojitet ndërhyrja e Kuvendit dhe udhëheqja e dialogut nga Kuvendi. Thirrje posaçërisht subjekteve opozitare të largohen nga inatet dhe të bashkohen për ta kontrolluar këtë proces. Në qoftë se të tjerët nuk kanë vija të kuqe, ne duhet t’i caktojmë ato, si për ekipin ashtu edhe për platformën dhe dialogun”, ishte reagimi i tij.

Një ditë pas kësaj u deklarua edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Haradinaj tha se ndarja e Kosovës është luftë dhe sipas tij deklarata e ambasadorit amerikan është interpretuar gabim nga mediat.

“Çka thotë dikush është diçka tjetër, nuk mund ta ndal askush, unë e kam përsëritur dhe e përsërisë ndarja është luftë, unë e di që askush nuk do luftë në Ballkan”, u shpreh ai.

Sipas tij deklarata e ambasadorit Delawie është keqinterpretuar, pasi sipas tij ambasadori i SHBA-ve ka thënë se mund të flitet, por nuk ka thënë se ndarja e Kosovës është temë në dialogun në Bruksel.

“Mendoj që është interpretim i gabuar nga mediat deklarata e ambasadorit nga mediat, nga ne në Kosovë unë e di qëndrimin amerikan. Qëndrimi i parë pra pozita e parë e amerikanëve është që ata nuk imponohen në zgjidhje, por vetëm nëse palët dakordohen. Mundësia e foljes për një temë është diçka tjetër dhe opsion i ndarjes është diçka tjetër. Pra askush nuk mund ta ndal dikën me fol, pra ambasadori ka thënë mund të flitet por nuk ka thënë që është temë edhe amerikanët nuk kanë vija të kuqe por amerikanët na kanë njohur pavarësinë e Kosovës me këtë Kushtetutë, me Këtë territor jemi sovran”, u shpreh Haradinaj.

I menjëhershëm ishte reagimi i ambasadorit të SHBA-së, Greg Delawi, i cili sqaroi edhe një herë qëndrimin e tij rreth marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, shkruan lajmi.net.

Ai i quajti lajme të rreme, pasi nuk ka është shprehur në mënyrën e reagimeve të shumta për deklaratën e tij të mbrëmshme në një emision televiziv.

“Injoroni lajmin e rremë. Ja se çfarë kam thënë: Kosova duhet të kuptojë se cilat janë qëllimet e saj, ajo duhet të përpiqet të arrijë një lloj konsensusi mbi këto qëllime dhe kjo është ajo që unë po përqendrohem tani”, ka shkruar ai në Twitter

Ndërsa i pari i shtetit Hashim Thaçi, nuk e interpretojë atë se çfarë kishte thënë ambasadori amerikan për mundësinë e këmbimit të territoreve në mes Kosovës e Serbisë, por tha se marrëveshja do të jetë shumë e vështirë dhe dhembshme.

“Me kompromise kemi ec 3 dekada. Kemi bo kompromis me partnerët tanë..nuk do të jetë betejë se kush kë do ta mund. Palët do të ndihen të dinjitetshme dhe ta implementonim marrëveshjen”, tha ai.

Sido qoftë, se çfarë do të jetë ajo marrëveshje e “rëndë dhe e dhimbshme”, presidenti nuk ka treguar dhe nuk ka diskutuar më shumë, duke i lënë të gjithë në ankthin e kohës.

Pas këtyre deklaratave shpërthyen kritikat e opozitës dhe shoqërisë civile.

Pas gjithë këtij lëmshi, qarkulloi një lajmë në media, ku thuhej se Administrata e Donald Trumpit i ka dhënë dritën e gjelbër opsionit të ndarjes së Kosovës. Sipas burimeve të veta, Express tha se ka mundësi që Trump për këtë gjë është marrë vesh me Presidentin rus, Vladimir Putin, në samitin e Helsinkit.

Mirëpo, zëvendëskryeministrit dhe ministri i Jashtë i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili ishte në një vizitë në Uashington ku ka takuar Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo, e hodhi poshtë këtë opsion.

Sipas këshilltarit të Pacollit, Amerika vazhdon ta mbështes Kosovën dhe nuk ka asgjë të vërtetë rreth teorie për ndarje.

“Politika amerikane është e qartë. Takimi i zëvendëskryeministrit Pacollit me sekretarin Pompeo e rikonfirmon qëndrimin e palëkundur të SHBA-vë në mbështetje të Kosovës. Kosova nuk mund të lëvizje në asnjë proces pa koordinimin dhe mbështetjen e SHBA-ve, andaj e politika jone e jashtme bazën e ka në Uashington”, ka thënë ai.

“Nuk ka absolutisht asgjë të vërtetë në teoritë për ndarjen e Kosovës, janë vetëm lajme të krijuara në Beograd. Ndarja e Kosovës nxit destabilizimin e Ballkanit dhe për këtë janë të vetëdijshëm edhe në Uashington. Sekretari Pompeo është ftuar që të vizitojë Kosovën në nëntor të këtij viti”, ka thënë ndër tjera këshilltari i ministrit të Jashtëm.

Më pas Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pati një takimit me përfaqësuesit e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, i cili tha se nuk do të ketë ndarje, por marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

“Ndarje nuk do të ketë, marrëveshja përfundimtare e dialogut do të jetë vetëm mes dy vendeve të pavarura”, ka thënë ai.

Ka pasur edhe reagime nga Serbia, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se pas dy muajsh do t’i drejtohet popullit të tij për çështjen e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Republikës së Kosovës.

Vuçiq rreth shkëmbimeve të territoreve tha se “… askush nuk na ofroi një ndarje”.