Kush ishte Zhak Shirak, francezi që i tha “JO” luftës në Irak

27.09.2019 19:39:53

Ish-presidenti Jacques Chirac, “një luan i politikës franceze”, ai që i tha “jo” luftës në Irak, në vitin 2003, vdiq të enjten në moshën 86-vjeçare.

Jacques Chirac ishte një nga figurat e mëdha të së djathtës franceze, jetëgjatësia e të cilit në politikë, mes suksesesh të shkëlqyera dhe dështimesh të hidhura, tregoi se kishte një aftësi të jashtëzakonshme për t’u rimëkëmbur.

Emri i tij u përfshi gjithashtu në shumë çeshtje gjyqësore dhe ai u bë presidenti i parë francez që u dënua nga drejtësia, në vitin 2011, për punësime fiktive.

“Presidenti Jacques Chirac u shua të enjten në mëngjes në gjirin e familjes së tij”, njoftoi bashkëshorti i Claude, vajzës së ish-presidentit.

Asambleja Kombëtare Franceze, si edhe Senati mbajtën një minutë heshtje sapo vdekja e tij u njoftua gjatë seancës.

Reagimi i liderëve botërorë ishte i menjëhershëm, disa duke kujtuar plot emocion miqësinë e tyre me atë që e drejtoi Francën për 12 vjet, nga 1995 deri në 2007.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, shumë e trishtuar, i dha lamtumirën “një partneri dhe miku të mrekullueshëm”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, vlerësoi një drejtues “të mençur dhe me vizion”.

Kryeministri libanez, Saad Hariri, që ishte një mik i tij, e cilësoi ish-kreun e shtetit si “një prej njerëzve më të shquar të Francës”.

I prekur dhe i hidhëruar, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker e quajti “burrë të shquar shteti dhe mik të shtrenjtë”, ndërsa Pedro Sanchez, kryeministri spanjoll, e vlerësoi si “një udhëheqës që la gjurmë në politikën europiane”.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, e përshkroi si një “udhëheqës të jashtëzakonshëm që i dha formë të ardhmes së Francës”.

Në Francë, ish-presidenti Nicolas Sarkozy shprehu trishtimin e tij të thellë, duke thënë: “Ai nuk bëri lëshime sa i përket pavarësisë sonë dhe, në të njëjtën kohë, nga angazhimi i tij i thellë si europian”.

“Shtëpia jonë po digjet!”

“Na u shua një luan i politikës franceze”, tha ish-kryeministri, François Fillon.

Jacques Chirac, që gjatë viteve të fundit nuk shfaqej më në publik, ka qenë dy herë kryeministër, tri herë kryebashkiak i Parisit, themelues dhe lider partie dhe ministër në mënyrë të përsëritur.

Padyshim, ai do të mbetet në histori si presidenti francez, që, në vitin 2003, refuzoi të merrte pjesë në luftën e Irakut, kërkuar nga SHBA-ja. Ministri i tij i Punëve të Jashtme, Dominique de Villepin, drejtoi betejën diplomatike në Kombet e Bashkuara, duke e kundërshtuar luftën në emër të një shteti të vjetër, Francës, në emër të një kontinenti të vjetër, Europës, që kanë njohur luftra, pushtime e barbarizma.

Brenda vendit, mandatet e tij si president do të shenjohen nga heqja e rekrutimit ushtarak, njohja e përgjegjësisë së shtetit francez në krimet naziste, kalimi i mandatit të presidencës në pesë vite dhe thirrja e tij alarmuese “Shtëpia jonë po digjet!”, gjatë Samitit për Tokën, në vitin 2002, përballë shkatërrimit të mjedisit në botë.

Jacques Chirac arriti të pushtonte presidencën franceze, ëndrra e jetës për këtë njeri të veçantë, në vitin 1995, pas dy humbjesh përballë socialistit Françoi Mitterrand (1981 dhe 1988).

Në vitin 2007, i sfilitur nga një goditje cerebrale, që i ndodhi dy vjet më parë, ai triumfoi ndaj Nicolas Sarkozy, marrëdhëniet me të cilin qenë përkeqësuar vitet e fundit.

Humbje kujtese, mungesa, shurdhëri: Jacques Chirac do të shfaqet gjithnjë e më pak në publik.

Veçanërisht popullor, që kur la pushtetin, Jacques Chirac ka pësuar edhe dështime të hidhura. Në vitin 1988, kur pësoi humbje të thellë kundrejt François Mitterrand, bashkëshortja e tij u dëshpërua sepse “francezët nuk e donin më bashkëshortin e saj”.

Ai pati gjithashtu edhe probleme gjyqësore, pas tërheqjes së tij nga politika. Në vitin 2011, ai u bë i pari ish-president i dënuar penalisht, në Francë, me dy vite burg me pezullim të dënimit, për punësime fiktive në Bashkinë e Parisit.

Pas largimit nga presidenca franceze, Jacques Chirac jetoi në Paris, me bashkëshorten e tij, Bernadette.

Ai kishte dy vajza, Laurence, anoreksike që në rini, e cila vdiq në prill të vitit 2016, dhe Claude, që ishte këshilltarja e tij për komunikimin.