Kush janë dy prokurorët italianë që do hetojnë tërmetin shqiptar të 26 nëntorit

20.01.2020 17:05:50

Dy prokurorë italianë të shoqëruar nga oficerë të Policisë Gjyqësore dhe dy inxhinierë përbëjnë trupën e ekspertëve italianë që do të hetojnë bashkë me palën shqiptare tragjedinë e 26 nëntorit, ku pas një tërmeti tragjik humbën jetën 51 persona dhe u plagosën mbi 900 të tjerë.

Ekspertët italianë janë njohës të mirë të krimeve që kanë të bëjnë me tërmetet, pasi janë edhe hetuesit e asaj që ndodhi në L’aquila vite më parë, e ku pati shumë viktima.

Në atë kohë në Itali, hetimet u kryen nga personat që janë tashmë në Shqipëri dhe çështja u shoqërua me bujë, pasi hetimet për kohën u konsideruan ekzemplare lidhur me krimin që për italianët morin termin “krimi i nëntokës’.

Me kërkesë të Prokurorit të Përgjithshëm  Olsian Çela dhe me ndihmën e misionit Pameca që vepron në Shqipëri, u mundësua vizita e një delegacioni ekspertësh italianë të kryesuar nga dy prokurorë. Ata janë Fabio Picuti dhe  Michele Renzo. Takimi i parë u zhvillua sot me Prokurorin e  Përgjithshëm Olsian Çela dhe mes palëve u prezantua qëllimi i vizitës, e cila është dhënia e asistencës teknike mbi hetimet që lidhen me pasojat e tërmetit të datës 26 Nëntor 2019.

Delegacioni Italian përfaqësohet nga 2 prokurorë përgjegjës për hetime të ngjashme në Itali, një inxhinier si edhe 2 oficerë të policisë gjyqësore. Delegacioni do të zhvillojë sot dhe nesër takime në Durrës me prokurorë të Durrësit dhe Krujës që po hetojnëçështjet që lidhen me pasojat e  tërmetit.