Kush janë këta që luajnë me ndjenjat kombëtare të shqiptarëve?

11.08.2016 17:50:55

Nga Rexhep Kastrati

uneÇështja e demarkacionit me Malin e Zi është një nga çështjet me të cilën është lehtë të nxisësh reagime emocionale individuale dhe kolektive, sepse mjafton të rrokësh lahutën, apo çiftelinë dhe të këndosh për Oso Kukën, për Mark Milanin dhe të bësh njerëzit të derdhin lot dhe të betohen se do vdesin për atdhe. Por, përtej kësaj, është realiteti, ai realitet që kërkon përgjigje: kush janë këta që nxisin patriotizëm folklorik dhe që zakonisht shqiptarëve u ka kushtuar me tragjedi njerëzore dhe territoriale, sepse shumë gjakun kanë derdhur shqiptarët, por edhe shumë territoret kanë humbur? Kush është Ramush Haradinaj që çirret në mbrojtje të territoreve, kurse e pati në dorë gjatë luftës që të mbante kufirin aty ku thotë, por në vend të saj nxiti luftë vëllavraëse me ushtarët e FARK-ut në krye me kolonel Tahir Zemajn? Cila është pasuria e tij, e familjes së tij dhe ndonjë tjetër që është vënë në emër të të afërmve të tij? Sa tokë ka Ramush Haradinaj me letra dhe pa letra? Po Daut Haradinaj, pse nuk ia kujtoi vëllait Ramushit gjatë luftës se kufiri është në Çakorr dhe Zhleb, apo nuk kishte kohë se llogariste në biznese me vëllezërit malazias dhe me vëllezërit serbë? Kush është Albin Kurti që flet për demarkacionin dhe për të tjera dhe nuk përgjigjet qoftë edhe në një pyetje të vetme: në cilin rast, ndonjë shtet sado demokratik, i lejon një organizate që e konsderon terroriste, të ketë selinë legale në qendër të kryeqytetit dhe të mos trazohet fare, ashtu siç ka bërë Serbia me zyrën e përfaqësuesit politik të UÇK-së, ku ai (Albini) ishte sekretar i përfaqësuesit të përgjithshëm të UÇK-së? Kush është Rexhep Selimi të flasë për demarkacionin, kur nuk ka shpjeguar kurrë akuzat për tradhti ndaj Adem Jasharit dhe familjes së tij, dhe akuzat e tjera të bëra nga shokët apo ish-shokët e tij? Në fakt, kush është Rexhep Selimi të cilit, Ganja publikisht ia përmendi ata që kanë bërë dosje kundër shokëve apo ish-shokëve të tyre? Kush është Fatmir Limaj të flasë për demarkacionin kur ka një akuzë publike nga Fetah Rudi për atentatin ndaj tij? Pra kush janë këta njerëz që e patën në dorë një përfundim tjetër të luftës, ndërkaq lejuan që të përfundojë me ndarje të brendshme etnike dhe të na krijohen edhe probleme të tilla, sikurse mosfunksionimi i plotë i shtetit në tërë territorin e Kosovës? Dhe këta që kanë përgjegjësi për luftën dhe për paqen që nuk janë realizuar si duhet dhe siç kanë qenë idealet e popullit shqiptar në Kosovë, si nuk u vjen turp, si kanë kurajo njerëzore të shesin mend dhe patriotizëm? Aq më tepër se në kohën e luftës, por edhe të marrëveshjeve, kanë qenë bashkë, pasi që siç dihet, në kohën kur është ndarë veriu i Kosovës dhe kur janë krijuar enklavat edhe Ramush Haradinaj, edhe Daut Haradinaj, edhe Rexhep Selimi, edhe Fatmir Limaj, edhe Albin Kurti, kanë qenë marioneta të hashim Thaçit, me të cilët gjatë dhe pas luftës, ky i fundit, luante koqe? Jo vetëm kaq: edhe kur është negociuar dhe realizuar Marrëveshja e Parë Ndërkombëtare për Normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, më 19 prill 2013, përsëri kanë qenë bashkë: Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi etj.? Dhe kjo vlen edhe për çështjen e demarakacionit, e cila është negociuar në kohën kur Hashim Thaçi luante koqe me AAK-në, e cila si gjynah, nga frika mbase se nuk po dëshmohet sa duhet se është në gjendje të bëjë gjithçka kundër Kosovës, vetëm që të mund t’i jepej si shpërblim posti i kryeministrit?  Kujtojnë se opinioni publik është aq i mjerë sa nuk e di se edhe Asociacionin, edhe çështjen e demarkacionit e kanë përgatitur bashkarasisht: Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Rexhep Selimi dhe gjithë të tjerët si këta, qoftë gjatë luftës, qoftë pas saj, por qoftë edhe me vetë negociatat për këto dy marrëveshjet? Kujtojnë se duke gjetur disa njerëz, të cilëve mund t’u jetë premtuar se nëse rrëzohet Qeveria, dhe nëse e marrin ata pushtetin do t’i shpërblejnë në mënyra të ndryshme, mund të mashtrojnë opinionin? Në këtë kontekst, kush janë këta që po manipulohen nga forca të ndryshme politike dhe po shpallin tradhtarë, që sulmojnë institucionet e shtetit dhe që në kandanrin e tyre të marrëzisë e masin marrëzinë e tyre me shekuj? A mos janë këta injorantë që nuk dijnë çka po bëjnë, njërez të paguar, apo janë nga ata që veç pak po ua gërrithe sipërfaqen e ndërgjegjes dhe të kaluarës së tyre, dalin njerëz me probleme të ndryshme? Dhe është marrëzia dhe budallakia më e madhe, të besosh se me manipulimin e njerëzve mund të arrish të destabilizosh vendin dhe ta çosh atë drejtë një anarkie shkatërrimtare, pasi që populli ka një matematikë tjetër: në çfarëdo ekuacioni politik, Kosova mund të dalë e humbur nëse ndiqet logjika e këtyre që duan destabilizim të vendit. Kjo për faktin se rrëzimi i shtetit dhe i institucioneve të tij do të realizonte dy përfundime tepër të këqia: do forconte rolin e UNMIK-ut dhe kufijtë me Malin e Zi dhe me Serbinë do të ktheheshin në kufij administrativë, ose në rastinmë të mirë,roli i shqiptarëve do të ishte shumë i parëndësihëm në përcaktimin e demarkacionit, kurs enë rastin më të keq, pra nëse ndryshohen parimet dhe metodologjia e demarkimit të kufirit nga ato kadastrale, në parime dhe metoda të tjera, do t’i hapte rrugë humbjes së një pjese të madhe të territorit me Serbinë, e në rastin më të keq, do të kishte eskalim të situatës, pas të cilës mund të pasonte ndarja e Kosovës. Në fakt, sqarimi që dha Murat Meha, e që nuk është përgenjeshtruar nga askush, se nëse nuk do të ndiqet parimi dhe metoda kadastrale, Serbia do të mund të futej brenda territorit të Kosovës, ka nxjerrë në sipërfaqe edhe një arsye pse po kundërshtohet parimi dhe metoda kadastrale: që tkur të vijë dita të bëhet demarkimi i kufirit me Serbinë, t’i mundsësohet kësaj të fundit që të marrë jo veç Gazivodën, por pjesë më në thellësi të Kosovës, qoftë në veri, qoftë në lindje të Kosovës. Në një rast të tillë, është e qartë se kush po na dalin tadhtarët dhe kush po punon kundër interesave të Kosovës.