Kush kujton se është Kadri Veseli dhe të tjerët që të pengojnë apo ndalojnë proceset?

22.10.2016 23:05:54

Nga Rexhep Kastrati

Kadri Veseli ka thënë se nëse ka marrëveshje ndërmjet partive, vendi mund të shkojë në zgjedhje. Këtë e arsyetoi me punën jonormale të Kuvendit. Në fakt, Kadri Veseli nuk bëri që tjerër, pos që përsëriti ato që ka thënë Hashim Thaçi në një intervistë televizive. Ngjashmëria e deklaratave të tyre, sigurisht se nënkupton një bashkërendim qëndrimesh, e që nuk është për t’u çuditur. Prandaj, shtrohet pyetja: e kanë menduar seriozisht punën e zgjedhjeve? Edhe pse jam shprehur gjatë ditës, megjithatë dua ta theksoj se këto deklarata, për momentin, më shumë janë shantazh ndaj kryeministrit Mustafa dhe LDK-së. Dhe këto shantazhe bëhen për ta realizuar një puç të brendshëm institucional jotipik, me qëllim tregimin e muskujve, për shkak se të dy, edhe Kadriu, edhe Hashimi kanë vetëm poste ceremoniale. Hashim Thaçi si president, dhe Kadri Veseli si kryetar Kuvendi nuk kanë kompetenca ekzekutive, të cilat i ka kryeministri Mustafa. Dhe këtë gjendje nuk po mund e përballojnë. Pra, natyra e një puçi ndërinstitucional ka të bëjë me synimin që synimet pushtetore t’i realizojnë duke shantazhuar dhe kërcënuar me prishje koalicioni. Fshehja mbrapa ndonjë marrëveshjeje partiake për zgjedhje, në fakt është zhveshje e plotë nga petku institucionalist, dhe kalimi në bashkëpunim të hapur me opozitën. Ndonëse ky bashkëpunim ka qenë i vazhdueshëm, megjithatë ka qenë më i kamufluar. Kadri Veseli ka përdorur vazhdimisht opozitën për t’i bërë trysni LDK-së dhe kryeministrit Mustafa. Veç këtyre, janë përdorë edhe veglat kondonë brenda e rreth LDK-së. Megjithatë, falë edhe qëndrimit dinjitoz të kryeministrit Mustafa dhe pjesës më të madhe të LDK-së, mbështetjes së elektoratit, dhe falë mbështetjes ndërkombëtare, shantazhet kanë dështuar.Miratimi i Gjykatës speciale dhe zgjedhja e presidentit, i kanë goditur fort këto shantazhe dhe kanë humbur (vetë)besimin te opozita. Miratimi i Gjykatës speciale dhe zgjedhja e presidentit ishin mesazhe se ishte koha e përmbylljes së proceseve të mëdha. Mbështetja ndaj kryeministrit Mustafa ishte e plotë dhe e konfirmuar më shumë se njëherë. Prandaj gjithë angazhimi ishte që të bindeshin edhe aleatët perëndimorë se LDK dhe kryeministri Mustafa nuk mund t’i shtynin proceset përpara, por ishin ata: PDK dhe partitë opozitare që mund t’u dilnin zot proceseve. Dhe kjo ka ndodhur vazhdimisht, por ndodhi edhe sot në një ditë të veçantë për Kosovën: në ditën kur AP e NATO-s zbarkoi në Kosovë. Dhe kjo ishte ngjarje e veçantë për Kosovën dhe për shqiptarët, pasi konfirmoi se Kosova është një nga pikat e rëndësishme gjeosterategjike për NATO-n. Dhe ky ishte paralajmërimi më i fuqishëm se janë të kota angazhimet për destabilizimin e Kosovës dhe ndryshimi i proceseve në Kosovë dhe në rajon. Edhe pse i paracaktuar një vit më parë, takimi i sotëm i AP të NATO-s ishte edhe një paralajmërim për afrimin e Kosovës me NATO-n jo thjesht nëpërmjet KFOR-it, por edhe si Kosovë. Këtë e forcon edhe fakti se pak kohë më parë Kongresi Amerikan ka kërkuar nga administrata ametikane që ta ndihmojë Kosovën për Partneritet për Paqe me NATO-n. Kjo do të thotë edhe ta ndihmojë për themelimin e ushtrisë së Kosovës. Edhe pse u këputën të shpallin të dështuar qeverisjen aktuale, kurse argumentet dhe faktet dëshmojnë të kundërtën, të përvëluarit për ta dështuar qeverisjen aktuale në politikë, në media e gjetiu e kanë të qartë se proceset madhore për vendin po kryhen gjatë kësaj qeverisjeje. Prandaj edhe themelimi i ushtrisë së Kosovës që nuk mund të jetë shumë i largët, po provokon fort ndjenjat ataviste të kundërshtarëve të kësaj qeverie. Në këtë kuptim, hallakama që u bë sot dhe që la nën hije punimet e AP të NATO-s, e që është turpi i atyre që e bënë këtë hallakamë, kishte për qëllim ta përcillte mesazhin e pafuqisë së kësaj qeverisje për t’i shtyrë proceset. Mirëpo, megjithatë u mor përgjigjia që duhej: nuk kemi problem me zgjedhje, por jemi të përkushtuar për t’i çuar proceset turje, dhe; nuk mundet PDK ta çojë vendin në zgjedhje. Me fjalë të tjera, mos provoni ta trembni ariun me shoshë! Tërheqja që u bë nëpërmjet Memlit, nuk do të thotë se Kadriu ka heqë dorë. Pavarësisht nga të gjitha, tashmë u pa qartë se ka një bllok të përbashkët PDK- VV-AAK-NISMA, dhe një tufë mendiesh dhe portalesh që kanë qenë dhe janë bashkë. Fakti se Kadriu ka folur nëpërmjet “Kohës ditore” mund të hedhë dritë edhe në përfshirjen e Veton Surroit në gjithë këto..Megjithatë, Kadriut duhet t’i bëhet e qartë se nuk ka media, as portale që mund ta ndihmojnë gjë. Proceset duhet të kryhen dhe ato do të kryhen. Kush kujton se është Kadri Veseli dhe të tjerët që të pengojë apo ndalojë proceset?