Kush mund të shmangë pazaret e dëmshme me Serbinë?

02.06.2018 16:15:14

Nga Rexhep Kastrati

Tashmë kur negociatat në Bruksel, por edhe pazaret e ndryshme të hapura dhe të sekrete kanë hyrë në fazën përmbyllëse dhe në fazën kur po dalin në sipërfaqe dëmet që i janë bërë Kosovës në këtë proces, ka dal si çështje thelbësore se kush duhet t’i udhëheqë ato!

Pjesë e debatit politik është bërë emri i Hashim Thaçit, i cili është ai që po pretendon të përmbyllë këtë fazë, duke marr përsipër të kryejë të gjitha punët që kanë mbetur dhe që Kadri Veseli i ka paraqitur në të ashtuquajturën platformë pesëpikëshe, e për të cilën kam shkruar vazhdimisht.

Siç dihet tashmë, në atë platformë, dy janë çështjet kryesore dhe që përcajtojnë edhe kohën dhe mënyrën e përmbylljes së negocitatave-pazareve ndërmjet Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiqit, përkatësisht Aleksnadër Vuçiqit, si dhe thelbin e kontestit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: Asociacioni dhe transformimi i FSK-së në FA. Të tjerat do të përcaktohen nga këto dyja.

Në fakt, të dyja këto çështje, ka kohë që Hashim Thaçi i ka negociuar me Ivica Daçiqin, përkatësisht më Aleksandër Vuçiqin, ashtu siç de facto dhe de jure ka negociuar-bërë pazar edhe për të gjitha të tjera çështje që nga viti 2011.

Prandaj, edhe shtrimi i çështjes se kush duhet t’i udhëheqë negociatat-pazaret, de facto nuk ka ndonjë kuptim, dhe bëhet vetëm për ta  djegur opozitën, e cila është treguar e dobët të përballet me sfida të vërteta për vendin, dhe në një masë të madhe e kontrolluar nga parti të tjera, por edhe nga korpusi medietik kundër LDK.

Është e qartë se kjo klasë politike e mjerë, e shantazhuar dhe e kontrolluar nga struktura mafiozo-politike dhe agjentura kundërshqiptare, është e pafuqishme të ndryshojë ndonjë gjë nga pazaret e hapura dhe sekrete të Hashim Thaçit me Ivica Daçiqin, përkatësisht me Aleksandër Vuçiqin edhe për çështjen e Asociacionit dhe të transformimit të FSK-së në FA.

E mundësitë reale janë që transormimi i FSK-së në FA të kushtëzohet me kompetenca ekzekutive për Asociacionin. Pra, që ndryshimet kushtetuese për transformimin e FSK-së në FA të kushtëzohen me ndryshime ligjore dhe kushtetuese për t’iu përshtatur synimeve për t’i dhënë pushtet ekzekutiv Asociacionit, përfshirë edhe një strukturë ushtarake që do të mbikëqyrej nga Presidenti dhe Këshilli i Asociacionit.

Këto mund të jenë pazare të kryera qysh më 2013 kur është punuar në Marrëveshjen e 19 prillit të atij viti, por edhe në vazhdimësi deri më sot.

Në këtë kuptim, Kosova ka nevojë për një udhëheqës negociatash që pengon krijimin e një “Republika Srpska” në territorin e saj. Në këtë kontekst, jam dakord me ata që kundërshtojnë Hashim Thaçin si kryenegociator, por nëse nuk ka mundësi që të ndryshohet gjë për mirë, atëherë kushdo që do të ishte në vend të Hashim Thaçit, veç do të vazhdonte atë që ka bërë deri më tash pikërisht Hashim Thaçi.

Gjithsesi, edhe ndarja e Kosovës është një sfidë, për të cilën po angazhohet Serbia, Rusia dhe aleatët e tyre, e me të cilën do të ballafaqohet çdo kryenegociator, e për çka ka negociuar Hashim Thaçi!

Pra, kush mund të shmangë pazaret e dëmshme për Kosovën?