Kushtetuesja ende pa vendim për dekretin e Thaçit, partitë politike në pritje

01.05.2020 16:48:52

Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha sot se do të shqyrtojë me urgjencë kërkesën e lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit Hashim Thaçi që i propozon parlamentit të Kosovës, Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike mandatar për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Por një vendim i Gjykatës Kushtetuese ende nuk është bërë publik, ani pse në opinon janë duke qarkulluar informacione se Kushtetuesja sot mund të dalë me dy vendime.

Ani pse është raportuar se vendimi i Kushtetueses lidhur me këtë çështje do të vijë rreth orës 17, kjo ende nuk ka ndodhur kur jemi duke iu afruar orës 18:00.

Lëvizja Vetëvendosje kërkoi nga Gjykata edhe vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e zbatimit të dekretit.

Gjykata tha se me qëllim të “shqyrtimit urgjent dhe gjithëpërfshirës të kërkesës”, u ka nisur letra të gjitha palëve të interesit që deri të premten në mesditë t’i dorëzojnë “komentet përkitazi me kërkesën për caktim të masës së përkohshme”.

Ndërsa “komentet përkitazi me meritat e kërkesës”, t’i dorëzojnë në Gjykatë deri më 8 maj.

“Gjykata Kushtetuese është e përkushtuar që në përputhje me përgjegjësitë dhe me funksionin e saj kushtetues, këtë lëndë ta trajtojë me urgjencë dhe prioritet”, thuhet në një njoftim të kësaj gjykate.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nënshkroi të enjten dekretin për mandatarin e ri dhe menjëherë pas kësaj Lidhja Demokratike kërkoi që seanca për votimin e kabinetit të ri të mbahet të shtunën.

Kjo parti e cila nënshkroi marrëveshje me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe partitë e pakicave kombëtare, është shprehur e bindur se ka siguruar votat e mjaftueshme për miratimin e kabinetit të ri që sipas kandidati i për postin e kryeministrit Avdullah Hoti do të ketë 16 ministri.

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa tha se “ne jemi të gatshëm që çdo moment të shkojmë në kuvend, të bëhet qeveria, por po ashtu jemi të gatshëm që të respektojmë edhe çdo vendim të gjykatës Kushtetuese sa i përket këtij procesi sepse dëshirojmë që procesi të jetë krejtësisht kushtetues. Ne nuk dyshojmë që të gjitha masat që janë ndërmarrë deri tani nuk kanë qenë kushtetuese, edhe dekreti i presidentit, edhe fazat që kanë sjellur deri te ky dekret, por meqenëse çështja është iniciuar në gjykatën Kushtetuese ne do të respektojmë çdo vendim. Por po ashtu vlerësojmë që askush përveç gjykatës Kushtetuese nuk ka të drejtë të pengojë mbajtjen e seancës së nesërme të kuvendit”, tha zoti Mustafa.

Procesi kundërshtohet nga lëvizja Vetëvendosje e cila kërkon zgjedhje të reja pas pandemisë së koronavirusit dhe e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Presidenti Thaçi mbështeti dekretin e tij në nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës në të cilin thuhet pos tjerash që “nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

Ndërsa lëvizja Vetëvendosje kërkon që të veprohet sipas nenit 82 të Kushtetutës, sipas të cilit “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.

Mocioni i mosbesimit i paraqitur nga Lidhja Demokratike u miratua me 25 mars në parlamentin e Kosovës duke e lënë vendin me qeveri në detyrë në mes të përballjes me pandeminë e koronavirusit.