Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë dhe çeshtja e gjuhëve

12.01.2018 16:32:45

Nga Abdulla Mehmeti

Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni nuk është Ligj për gjuhën shqipe (siç thonë polikanët sezonal), por e avancon përdorimin e gjuhës shqipe, prandaj nuk ka arsye për eufori, aq më pak për lavde nga politikanët që nuk kanë bërë asgjë për këtë çështje.

A e din dikush nga këta politikanët sezonalë, me sjelljen e këtij Ligji për përdorimin e gjuhëve, kur do të ndryshohet edhe neni i Kushtetutës, me të cilin rregullohet çështja e gjuhëve në këtë shtet, e gjuhëve zyrtare dhe gjuhëve të tjera në përdorim, siç është ,,gjuha të cilën e flasin së paku 20% e shtetasve”?

Ndryshimet vinë hap pas hapi, por duhet të vinë. Dikush duhet të punojë edhe shumë për këtë çështje, prandaj nuk ka vend për eufori.

Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë (me amendamentet e vitit 2001)

Neni 7

Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik.

Gjuhë tjetër të cilën e flasin së paku 20% e shtetasve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe shkrimi i saj, siç është përcaktuar me këtë nen.

Dokumentet personale të shtetasve të cilët flasin gjuhë zyrtare të ndryshme nga gjuha maqedonase, lëshohen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj, si dhe në atë gjuhë dhe shkrimin e saj në pajtim me ligjin.

Cilido shtetas i cili jeton në njësinë e vetadministrimit lokal në të cilën së paku 20% e shtetasve flasin gjuhë zyrtare tjetër nga gjuha maqedonase, në komunikim me njësitë rajonale të ministrive, mund të përdor cilëndo nga gjuhët zyrtare dhe shkrimin e saj. Njësitë rajonale kompetente për ato njësi të vetadministrimit lokal përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe shkrimin të cilin e përdor shtetasi. Çdo shtetas në komunikim me ministritë mund të përdor një nga gjuhët zyrtare dhe shkrimin e saj, ndërsa ministritë përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe shkrimin të cilin e përdor shtetasi.

Në organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, gjuha zyrtare e ndryshme nga gjuha maqedonase, mund të përdoret në pajtim me ligjin.

Në njësitë e vetadministrimit lokal gjuha dhe shkrimi që e përdorin së paku 20% e shtetasve është gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj cirilik. Për përdorimin e gjuhëve dhe shkrimeve të cilën e flasin së paku 20% e shtetasve në njësitë e vetadministrimit lokal, vendosin organet e njësive të vetadministrimit lokal.