Kuvendi i Kosovës ka rënë në kurthin e PDK – VV-së

20.12.2016 17:25:02

Nga Rexhep Kastrati

Në një shkrim të djeshëm kam shprehur pikëpamjet e mia kundërshtuese lidhur me seancën e jashtëzakonshme të caktuar për vdekjen e Astrit Deharit, por tashmë kur ky Kuvend ka miratuar rekomandimin e PDK-së me të cilin Qeveria e Kosovës obligohet jo vetëm të realizojë një hetim sipas kërkesës së familjes Dehari, por edhe të mbulojë shpenzimet për një hetim të tillë. Në fakt, kjo është në përputhje të plotë me kërkesën e shprehur edhe nga Tomë Gashi dhe nga sekta okulte e Albinit për ndërprerjen e hetimeve që po kryejnë institucionet përaktëse të Kosovës, dhe ta bartin çështjen në duart e ekspertëve apo hetuesve të caktuar nga sekta okulte e Albinit në emër të familjes Dehari. Në këtë mënyrë, Kuvendi i Kosovës ka bërë ndërhyrje flagrante në procesin hetimor, përkatësisht në punën e institucioneve të drejtësisë, duke e zhvlerësuar dhe rrëzuar punën e tyre. Kuvendi i Kosovës, në vend se të këmbëngulte që të mbrohet puna e institucioneve të drejtësisë së Kosovës dhe të vepronte në përputhje me rendin ligjor, kushtetues dhe institucional, vendosi që ta bartë këtë çështje në duart e Albin Kurtit. Në këtë mënyrë, Kuvendi i Kosovës e implikoi veten në angazhime kundërinstitucionale dhe kundërshtetërore, si dhe krijoi precendentin që të gjithë qytetarët, edhe për çështjet më të thjeshta, të kërkojnë që çështjen ta marrin në duart e veta dhe të anashkalojnë institucionet vendore, përkatësisht institucionet shtetërore të Kosovës. Në fakt, miratimi i një rekomandimi të tillë, është një kurth që Kuvendit dhe institucioneve të shtetit të Kosovës ia kanë ngritur PDK-VV, në vazhdën e kurtheve të gjertanishme gjatë këtyre dy viteve. Dhe arsyeja përse PDK-VV e futën në kurth Kuvendin e Kosovës dhe institucionet tjera të vendit, lidhet edhe me shkaqet  që e kanë çauar Astritin drejt vdekjes. Megjithatë, pavarësisht gjithë kësaj do të jetë e dështuar çdo përpjekje për të eklipsuar të vërtetën, sepse tashmë është vonë për ta bërë këtë.