Kuvendi i turpit dhe i faqes së zezë!

11.04.2019 19:30:03

Nga Rexhep Kastrati

Seanca e sotme e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, dëshmoi edhe një herë se është bërë një teatër i turpit dhe faqes së zezë të klasës politike, në të cilin kanë mundësinë të recitojnë fjalime  të ndryshme edhe njerëz që janë përmendur për krime të ndryshme, edhe njerëz që janë bërë milionerë duke vrarë shpresën e qytetarëve, edhe njerëz që janë të përfshirë në skandale të shumta që nga ato më të thjeshta siç janë keqpërdorimi i automjeteve zyrtarë, keqpërdorimi i naftës dhe derivateve të saj, i përvetësimeve të përfitimeve telefonike, i drekave e darkave e deri te ato seksuale, financiare, agjenturore dhe shoqërive sekrete.

Për shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova, në teatrin e turpit dhe të faqes së zezë, folën edhe ata që kanë rënduar buxhetin,  imazhin dhe ndjenjat e qytetarëve me veteranë të rrejshëm, ata që kanë përdorë politikën dhe institucionet shtetërore për të uzurpuar edhe institucionet arsimore, shkencore, kulturore etj., ata që për të blerë medie kanë orientuar paranë e agjensive shtetërore, publike dhe të kompanive publike në medie të caktuara në forma të sponsorizimeve, dhuratave, reklamave dhe në forma të tjera edhe më perfide. Milaim Zeka e di sa para ka marr për të bërë një emision të poshtër ” 5 shekuj luftë – 5 vjet pavarësi”, ku ka vjelë helm kundër presidentit Rugova dhe gjithë organizimit institucional.

Për shpërnguljen e shqiptarëve folën edhe ata që kanë biznese të përbashkëta me serbë, dhe që gjatë viteve kanë orientuar tregtinë dhe jo vetëm, kah Serbia, duke e mbushur tregun tonë më prodhime të dyshimta serbe.

Për shpërnguljen e shqiptarëve folën edhe ata që me monopolet e tyre, me haraçin e kërkuar nga investitorët e huaj, i dëbuan ata nga Kosova, dhe pamundësuan hapjen e vendeve të punës dhe për të ngjallë shpresën se ky vend do të bëhet!

Dhe të gjithë këta e jo vetëm këta, e kanë çuar në vend amaneti e Millosheviqit se Kosova do të jetë një shtet që nuk i duhet askujt!

Dhe të gjithë këta nuk e kanë hallin e shpërnguljes së shqiptarëve, por për t’i bërë reklamë vetes, sidomos kur në horizont ka zgjedhje të reja, kur duan mandate të reja për të gërryer Kosovën edhe në të ardhmen dhe për ta zbrazë edhe më tej.

Dhe kështu do të ndodhë derisa qytetarët nuk do të tregojnë fuqinë e tyre jo për dhunë, por për të qëndruar këtu dhe për ta ndryshuar gjendjen.