Kuvendi pret Hotin që të raportojë për dialogun, të premten në ora...

Kuvendi pret Hotin që të raportojë për dialogun, të premten në ora 12:00

20.07.2020 17:05:08

Vjosa Osmani, ka thënë se në konsultim me Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, kanë caktuar të premten në ora 12:00, kohën kur do të raportojë në Kuvend për procesin e dialogut, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kështu bëri të ditur vet Osmani, gjatë konferencës për media, ku tha po ashtu se pret që kësaj here kryeministri t’i përgjigjet pyetjeve gjatë seancës.

“Ka qenë kërkesë e vazhdueshme e Kuvendit të Kosovës, që të ketë raportime të vazhdueshme të kryeministrit, edhe para nisjes së këtyre rundeve të reja të dialogut, edhe pas kthimit. Tani, pasi e morëm letrën që ai e shpreh gatishmërinë, dhe pas konsultimeve me Kryesinë e Kuvendit, e kemi ftuar për të premten në ora 12. Do të presim përgjigjen edhe njëherë rreth kohës së propozuar, por kjo është koha që ne e kemi planifikuar. Të premten do të jetë koha kur ne do të dëgjojmë nga kryeministri, dhe shpresoj shumë se ai do tu përgjigjet kësaj radhe pyetjeve tona”, tha Osmani.