KUVENDI S’ARRITI TA PËRMBUSH ROLIN E TIJ

01.01.2018 18:39:14

Kuvendi i Kosovës vitin 2017 e përmbylli me performancën me të dobët. Shpërndarja e tij me 10 maj, shkuarja në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pastaj atyre lokale, zgjatja e konstituimit të Kuvendit të ri, bëri që organi më i lartë ligjvënës të mos mund ta kryej funksionin e tij me sukses.

Se Kuvendi ka dështuar ta përmbush misionin e tij, e pranojnë edhe vet deputetët dhe monitoruesit e punës së legjislativit. Vetëm katër ligje është bilanci që Kuvendi arriti t’i miratojë në sesionin vjeshtor, për gati 5 muaj prej konstituimit të tij.

Për këta muaj, legjislativi ka mbajtur vetëm 11 seanca, rreth 50 pyetje parlamentare, ku gjysma prej tyre nuk kanë marrë përgjigje nga ministrat, derisa 80 përqind e pyetjeve parlamentare vijnë nga partitë që janë në opozitë.

Sipas këtyre fakteve, Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se Kuvendi vitin 2017 e ka pasur ndër vitet me të varfra që prej pasluftës.

Krasniqi: Kuvend dështoi ta ushtroi rolin që ka

“Vitin 2017 Kuvendi i Kosovës pothuajse e ka pasur të pamundur të ushtroj funksionet e veta të cilat i ka, për shkak të shpërndarjes së Qeverisë në fillim të vitit dhe organizim të zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Pastaj dy raunde të zgjedhjeve lokale, të cilat kanë ndikuar që Kuvendi të ketë një kohë të shkurt në dispozicion të ushtroj funksionet e veta dhe po ashtu këtu ia shtojmë edhe një krizë, ajo bllokada që ishte rreth konstituimit të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit që ka ndikuar në një performancë të dobët të Kuvendit. Madje, mund të themi se është një prej viteve me të varfra në aspektin e ushtrimit të roleve të Kuvendit”, tha Krasniqi.

Krasniqi thotë se për ta vërtetuar performancën e dobët të Kuvendit për këtë vit, tregon edhe numri i vogël i ligjeve të miratuara në sesionin vjeshtor.

Sipas planit legjislativ të Qeverisë që ka diku rreth 88 ligje, sipas Krasniqit, është dashur të miratohen deri në fundit të vitit ose të paktën që të jenë në procedurë në Kuvend, mirëpo kjo nuk ndodhi.

Krasniqi: Kuvendi realizoj vetëm 4 për qind të agjendës legjislative

“Ka qenë një plan ambicioz dhe është ditur nga fillimi që ky plan nuk do të mund të zbatohet. Mirëpo që Kuvendi akoma nuk e ka marrë dhe adaptuar si të vetin që ta miratoj një plan të punës për pjesën e mbetur të vitit 2017. Nuk e ka bërë, mirëpo prej kësaj kemi parë se janë miratuar deri me tani, ose janë ratifikuar të them më mirë, tri marrëveshje ndërkombëtare në Kuvend dhe është kaluar rishikimi i buxhetit për vitin 2017. Pra gjithsejtë katër ligje të miratuara prej kësaj legjislature, ose nëse marrim me përqindje janë vetëm 4 për qind përmbushja e gjithë agjendës së Kuvendit”, u shpreh ai.

Ndërsa, rreth 27 projektligje janë në shqyrtim në Kuvend që janë sjellë nga Qeveria, ku shumë prej tyre kërkojnë një shqyrtim të shpejt nga ana e Kuvendit.

Se Kuvendi ishte i dobët këtë vit, e sidomos në sesionin vjeshtor, e pranojnë edhe deputetët e partive politike në pozitë dhe opozitë. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, thotë se organi më i lartë ligjvënës dështoi ta përmbush planin këtë vit, por sipas saj, punën e Kuvendit e determinon Qeveria.

Deliu-Kodra: Kuvendi miratoi pak ligje

“Është e saktë ajo që ju thoni që ne kemi pasur pak ligje të miratuara në punimet e Kuvendit. Agjenda e Qeverisë ka qenë ajo që e ka determinuar punën e Kuvendit. Ne kemi pritur që të kemi me shumë ligje nga Qeveria, janë ato ligje që kanë ardhur dhe kemi kaluar. Ajo që duhet vlerësuar gjatë kësaj faze është puna e mirë e komisioneve parlamentare, ministrat brenda këtij sesioni kanë qenë pothuajse çdo komision për të raportuar për punën e tyre. Është vërejtur një dinamikë e shtuar e komisioneve dhe një mbikëqyrje me e madhe ndaj Qeverisë që nuk është parë në sesionin e kaluar. Por gjithsesi duhet një përkushtim me e madhe në sesionin e ardhshëm, duhet një dinamikë më e shtuar edhe e qeverisë, por edhe nisma ligjore të vet deputetëve të Kuvendit”, theksoi Deliu-Kodra.

Edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i cili një kohë të gjatë ka monitoruar punën e legjislativit, e ka vlerësuar tejet negativ rezultatin e Kuvendit në vitin 2017, sidomos prej konstituimit të legjislaturës së re. Ai e lë përgjegjës Qeverinë për dështimin e Kuvendit, meqë sipas tij, ekzekutivi determinon punën e legjislativit.

Selmanaj: Viti 2017 më negativi për legjislativin

“Në fakt në kontekstin e përgjithshëm nëse e vlerësojmë punën e Kuvendit për këta muaj, vlerësoj se është jashtëzakonisht negativ. Fillimisht mënyra se si u formua qeveria, pastaj mos gatishmërinë e qeverisë që të vije dhe të debatoj për programin qeverisës në Kuvend, duke iu thënë kryeministri deputetëve, se ne kemi punë shumë me të rëndësishme se sa të vijmë këtu të debatojmë me juve, gjë që është në kundërshtim edhe me elementet më themelore, bazike të kushtetutshmërisë në vend. E dyta filluan zgjedhjet lokale dhe partnerët e koalicionit të cilët janë me shumë se 20 e shihni me të arsyeshme që të merren me zgjedhje se sa të vijnë në Kuvend dhe të kryejnë punët kushtetuese që ata i kanë. Krejt përgjegjësia kësaj radhe i bie Qeverisë dhe koalicionit qeverisës, ata janë që determinojnë punën e Kuvendit”, theksoi Selmanaj.

Por, monitoruesit e punës së Kuvendit kërkojnë që për të ngritur efikasitetin, deputetët duhet të kenë nisma ligjore të tyre. Megjithatë, Albert Krasniqi nga KDI thotë se krahas kësaj do duhej të rriteshin edhe kapacitetet administrative në mënyrë që t’iu ofrohet përkrahje më e madhe deputetëve kur të kenë iniciativa ligjore.

Krasniqi pret që vitin 2018, të ketë një llogaridhënie më të madhe nga ana e Qeverisë ndaj Kuvendit, ministrat të jenë aty dhe të japin llogari për punën e vet, por edhe Kuvendi të jetë më i organizuar dhe të kërkojë llogari.