Ky muze kaq i bukur në Korçë po mahnit të huajt

23.11.2016 10:51:40

Portali gjerman “Bau Netz” i ka kushtuar një reportazh Muzeut të Artit Mesjetar në Korçë, një godinë e bukur e inauguruar para pak kohësh.

Në fillim të shkrimit thuhet se Pashko Vaso, poeti kombëtar i Shqipërisë, ka thënë dikur se “feja e shqiptarit është shqiptaria”.

Në shkrim theksohet se pavarësisht se Enver Hoxha e ndaloi fenë, në Korçë arriti të mbijetojë një koleksion i madh me ikona ortodokse, që mendohet se është më i madhi në Europë.

Tashmë ato e kanë një muze.

Godina është projektuar nga shqiptarët e DEA Studio, kurse interiorin e ka marrë përsipër kompania gjermane Bolles+Wilson, që ka realizuar dhe ka në plan të realizojë projekte të rëndësishme në Shqipëri.

Përshtatja e interiorit për një muze të tillë ka qenë një sfidë e vështirë, por pamjet tregojnë se puna që kanë kryer ata është spektakolare.

Në fund, edhe pse nuk ishte pjesë e kontratës, gjermanët u morën edhe me fasadën e godinës.

Një anekdotë thotë se punëtorët e ndërtimit kishin menduar se po bënin një burg dhe e bënë fasadën e gurit shumë të errët.