Lahi Brahimaj: Qeveria e Kosovës e konsideron “barrikadë”, Adem Jasharin

06.09.2016 15:07:08

Brahimaj: Qeveria e Kosovës e konsideron “barrikadë”, Adem Jasharin

Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për largimin e sheshit Adem Jashari në Mitrovicë.

Brahimaj ka thënë se është ofendim të thuash se me e heq këtë shesh, është sikur me  e heq një barrikadë.

Lexoni reagimin e plotë të Brahimajt:

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për largimin e sheshit “Adem Jashari” në Mitrovicë, e forcon argumentin se kryeministri po e lejon “serbizimin” e asaj pjesë, me vetëdije të plotë.

Nuk mundesh mu tregu i paanshëm, kur para syve të ngritët një përmendore nga një komunitet, e ndërsa prishë sheshe që janë ndërtuar nga populli shumicë. Nuk mundesh me thënë se Kosova është “NJË”, është unike, kur një pjesë e vendit as administrohet nga institucionet tua, edhe simbolet në atë pjesë janë të një shteti tjetër. 

Është ofendim të thuash se duke hequr sheshin “Adem Jashari” e ke heqë një “barrikad”. Jemi të gjithë të vetëdijshëm, kush ka vendosur “barrikada” në atë pjesë. Emri i Komandantit Legjendarë, Adem Jashari, mund të jetë “barrikad” vetëm për Vuqiqin dhe për të gjithë ata që mendojnë më kokën e tij, por për popullin nuk është i tillë.

Kjo nuk nënkupton që jemi kundër qytetarëve serb të Kosovës, por vendimet, për t’u ngritur një përmendore dhe për t’u prishur një shesh, janë marrë, jo duke biseduar me qytetarët e vendit tënd, por me një shtet i cili të konsideron pjesë të vetën.

Këtij veprimi i shtohet edhe më shumë josinqeriteti kur lexon e dëgjon se si qytetarët shqiptarë nuk janë të informuar aspak për këtë veprim. Pra kjo dëshmon se sa fshehtas vepron qeveria e Kosovës, në dëm të shtetasve të saj.

Kryeministër, ajo pjesë ka nevojë për zhvillim ekonomik për vendime që  qojnë në drejtim të mirë në këtë aspekt e jo për vendime që e “serbizojnë” edhe me shumë Mitrovicën e Kosovën.