Lamtumirë Kosovë! 5 mijë persona lënë nënshtetësinë

28.01.2020 12:51:03

Mbi 5 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës kanë hequr dorë nga nënshtetësia kosovare vetëm gjatë vitit 2019, duke zgjedhur për të jetuar në një nga shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e lejojnë dyshtetësinë.

Sipas DË, të dhënat konfirmohen nga ministria e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës. Nënshtetësitë që marrin më së shumti qytetarët e Kosovës janë nënshtetësia gjermane, austriake, sllovene, kroate etj.

Qytetarët, të cilët kanë ndërruar nënshtetësinë e tyre nuk ndihen të kënaqur me vendimin që kanë marrë edhe pse këtë gjë e kanë bërë për një të ardhme më të mirë për familjet dhe fëmijët e tyre.

Fatime Recica që jeton në gjermani prej 20 vitesh, thotë se familjarisht  e kanë marrë këtë vendim, me qëllim që femijët e saj të ndihen të barabartë në shtetin ku jetojnë.

Fatimja pohon se ka qenë një vendim i vështirë, por ajo e pranon, se pranimi i nënshtetësisë gjermane ka përparësitë e veta. Analistët dhe sociologët e vlerësojnë këtë situatë në Kosovë si alarmante. Analisti Nexhmedin Spahiu thotë se braktisja e nënshtetësisë së Kosovës është pasojë e moskultivimit  të atdhedashurisë në dy dekadat e fundit, rezultati i një sistemi arsimor të dështuar.

Sipas Spahiut edhe një jetë kulturore me vlera të përmbysura dhe kthimi i korrupsionit si metodë jetese kanë luajtur rolin e tyre.  Sipas të dhënave të studimit afërsisht 40 për qind e shqiptarëve të Kosovës dëshirojnë të emigrojnë për një periudhë të shkurtër kohe prej më pak se pesë vjet.

Problemet ekonomike përmenden si arsyeja kryesore për migrim nga rreth 63 për qind e atyre që dëshirojnë të lënë Kosovën për të shkuar në një vend tjetër. Ssociologët vlerësojnë se nëse vazhdon ky ritëm i heqjes dorë nga nënshtetësia e Kosovës nga qytetarët kosovarë, shteti do të ketë probleme të mëdha.

Ndërkaq mosliberalizimi i vizave, shkalla e lartë e papunësisë në Kosovë kanë bërë që qytetarët kosovarë të gjejnë alternativa të tjera për të udhëtuar lirshëm, duke aplikuar në disa raste për një shtetësi të dytë, që në mjaft raste ka qenë ajo serbe, ose shqiptare.