Lansohet projekti për punë kërkimore në Kosovë

24.02.2020 12:05:35

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, sot ka bërë lansimin e projektit strukturor “Ngritja e kulturës kërkimore në arsimin e lartë në Kosovë”, në të cilin u bë vlerësimi i gjendjes aktuale të kapaciteteve kërkimore në sektorin e arsimit të lartë në Kosovë.

Në bazë të vlerësimeve thuhet se në universitetet e Kosovës është e nevojshme të futet puna kërkimore dhe hulumtimet, të cilat tash e tutje do të zhvillohen me ndihmën e këtij projekti.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami thotë se edhe pse është në ditët e para të mandatit, ka vërejtur që në shumë fusha ka nevojë për përmirësim.

Bajrami theksoi se qeveria e re e Kosovës e ka vendosur në prioritet përmirësimin e arsimit.

Udhëheqësja e projektit, Mihone Kerolli-Mustafa tha se me këtë projekt synojnë të fuqizojnë kapacitetet e hulumtimeve në Kosovë. E krejt kjo sipas saj, për shkak se rezultatet që kanë bërë më herët, tregojnë që Kosova është pak mbrapa në këtë aspekt.

Ai shtoi se me ndihmën e partnereve nga zyra e BE-së dhe Erasmus+ do të ndihmojnë në fuqizimin dhe gjetjen e zgjidhjeve në arsim, raporton KP.

Rektori në Universitetit të Pejës, Fadil Millaku, tha se komponenta hulumtuese duhet të avancohet në mënyrë që universitetet tona mos të jenë më shumë mësimbajtëse por të jenë prezent edhe komponenta hulumtuese.

Ndryshe, ky projekt ka për qëllim të mbështes ngritjen e kulturës së kërkimit në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, si dhe zhvillimin e politikave dhe praktikave të mira, krijimin dhe instalimin e rregulloreve, strukturave dhe mekanizmave të rinj në institucionet përfituese në Kosovë.