Lazarati vendos rekord për pjesëmarrjen e ulët në votime, vetëm 60 persona votuan

30.06.2019 20:35:40

Vetëm 60 qytetarë u drejtuan sot në kutitë e votimit në Lazarat. Kjo shifër përbën vetëm 2.2% të totalit të qytetarëve me të drejtë vote në Lazarat, që arrin në 2,700.

Nga raportimet që po vijnë nga i gjithë vendi, Lazarati ka vendosur deri më tani rekordin më të ulët të pjesëmarrjes në votime.

Sa i përket qarkut të Gjirokastrës, ku përfshihet edhe Lazarati, pjesëmarrja në votime ka arritur deri në 22.9%. Ky qark njihet edhe si një prej bastioneve të Partisë Socialiste.

Edhe pse procesi i votimit në të gjithë Shqipërinë ka përfunduar prej 1 ore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka bërë ende publike shifrën e pjesëmarrjes në rang vendi.

Raportimi i fundit ka qenë në orën 15:00, ku pjesëmarrja ishte në 15.5%.