LDK akuzon VV-në dhe këshilltarët e Kurtit për fushatë linçuese ndaj SHBA-ve

11.04.2020 16:59:36

Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka akuzuar Vetëvendosjen dhe aktivistët e saj për siç e kanë quajtur ata, fushatën linçuese në rrjete sociale kundër SHBA-ve dhe personaliteteve amerikane.

Me anë të një komunikate për media, LDK ka thënë se kjo fushatë është e papranueshme dhe e pafalshme për këtë subjekt, shkruan lajmi.net.

Sipas LDK-së, fryma e një fushate të tillë u instalua nga deklaratat publike të disa prej këshilltarëve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.

“LDK fton Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj, Albin Kurtin, që është kryeministër në detyrë, ta dënoj këtë fushatë dhe të ndikojë në ndaljen e saj. SHBA meriton respekt dhe falenderim të përhershëm të Kosovës dhe të çdo qytetari të saj”, thuhet në reagim.

Njoftimi i plotë:

LDK dënon ashpër fushatën e ulët linçuese, e cila po zhvillohet në rrjetet sociale apo përmes deklaratave politike, e orkestruar, qoftë drejtpërdrejt përmes aktivistëve politik apo forma tjera indirekte, ndaj aleatit të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe personaliteteve të SHBA-ve.

Fushata denigruese ndaj aleatit kryesor të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës për LDK-në është e papranueshme dhe e pafalshme.

Fryma e fushatatës së tillë u instalua nga deklaratat publike të disa këshilltarëve të Kryeministrit të Kosovës, e pasuar nga militantë të LVV-së.

LDK fton qytetarët e Kosovës të refuzojnë këtë fushatë dhe të mos bëhen pjesë e një diskursi që nuk pasqyron edukatën tonë personale, familjare e qytetare dhe nuk i takon kulturës dhe traditës tonë, si shoqëri e si komb.

LDK fton Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj, Albin Kurtin, që është kryeministër në detyrë, ta dënoj këtë fushatë dhe të ndikojë në ndaljen e saj.

SHBA meriton respekt dhe falenderim të përhershëm të Kosovës dhe të çdo qytetari të saj.