LDK, çka pas mocionit kundër Qeverisë?

10.05.2017 15:38:04

Nga Rexhep Kastrati

Edhe pse mocioni i opozitës kundër Qeverisë së drejtuar nga LDK dhe kryeministri Mustafa u votua edhe nga PDK-ja, megjithatë duhet thënë se pikërisht ky akt, ka çjerrë maskat e tyre, dhe ka dëshmuar se PDK, AAK, VV, Nisma janë njësoj kundër LDK-së dhe e kanë përjetuar njësoj rëndë faktin se Qeverinë e vedit e drejtonte LDK dhe kryeministri Mustafa. Dhe ky fakt, tashmë ua ka bërë të qartë të gjithëve se sado që kanë sharë njëri-tjetrin, sado që anë bërë se janë angazhuar kundër njëri-tjetrit, dhe sado që janë munduar të mashtrojnë opinionin se përfaqësojnë vlera dhe alternativa të ndryshme, drejtuesit e PDK-së, AAK-së, VV-së e Nismës janë bashkë dhe përfaqësojnë të njëjtën frymë korruptive, kundërshtetërore dhe në fakt janë vetëm përplotësim i një mozaiku që përbënë tërësinë. Në këtë mënyrë është bërë e qartë edhe për ata që kishin iluzionin se AAK, VV apo Nisma janë ndryshe nga PDK-ja, se në fakt këto parti vazhdojnë të jenë një formacion i përbashkët kundër LDK-së dhe paraqesin vlera të kundërta me të. Dhe e mira e këtij mocioni është se ua ka hequr të gjithë atyre që edhe publikisht mundoheshin të argumentonin se AAK, VV apo Nisma janë më të mira dhe ndryshe nga PDK-ja, duke e mbyllur njëherë e mirë frymën klenteliste të tyre në raport me parti të tjera, dhe duke e bërë të qartë se LDK nuk është njësoj me asnjërën nga këto parti, por që për shkak të mënyrës së ndërtimit të isntitucioneve, nuk mund të vendosë vija të kuqe me asnjërën prej tyre. Dhe kjo është e mirë, pasi që tashmë askush askë nuk mund ta akuzojë për koalicione, si dhe kjo çështje nuk mund të përdoret për luftë të brendshme politike në LDK.

Në anën tjetër, edhe pse kjo Qeveri nuk e çoi deri në fund mandatin qeverisës, edhe pse kishte një marrëveshje që kjo të ndodhte, megjithatë ka arritur që për kaq kohë sa e drejtoi Qeverinë, LDK dhe kryeministri Mustafa dëshmuan se e vetmja parti që realisht di, mund dhe ka vullnet ta qeverisë Kosovën në interes të qytetarëve është pikërisht LDK-ja. Edhe pse në kushte të presingut të vazhdueshëm nga të gjitha anët, por edhe nga brenda dhe rreth saj, LDK arriti të realizojë një model qeverisës që nuk mund të paramendohej më parë dhe që pati mbështetje të fortë ndërkombëtare. Pa dashur të ritheksoj ato që kryeministri Mustafa ka thënë në fjalën e tij në Kuvend, megjithatë rritja më e madhe ekonomike në rajon, krijimi i kushteve të të bërit biznes, reformat e ndryshme në shërbimet e ndryshme sociale, sidomos reforma pensionale, reforma fiskale, mirëmenaxhimi i financave publike, rritja e të hyrave buxhetore përkundër reformës fiskale lehtësuese për biznesin, dhe përkundër futjes në fuqi të MSA-së, si dhe kishte arritur që të miratonte një buxhet mbi dy miliardë euro. Po ashtu, gjatë kësaj kohe u miratua ligji strategjik për “Trepçën” dhe për investime strategjike, u zgjidh çështja e pensioneve për veteranët e luftës dhe shumë suksese të tjera.

Përkundër mospërfundimit të mandatit të plotë të qeverisjes, LDK-ja u dëshmua se është partneri kryesor dhe i vetëm serioz i aleatëve tanë straegjikë, dhe qëndron fort si garant i orientimit gjeopolitik e gjeostrategjik euro-atlantik të Kosovës, duke e mabjtur aty ka edhe e ka vendin dhe larg tendencave për ta bërë pjesë të ofertës ruse për Ballkanin, siç është përpjekur dhe po përpiqet ta bëjë sekta okulte e Albinit dhe të tjerët si ajo. Krymeinistri Mustafa është dëshmuar të jetë partnerë serioz dhe i besueshëm i aleatëve tanë strategjikë i vullnetshëm dhe i predispozuar që të gjitha çështjet e rëndësishme për vendin të bashkërendohen me aleatët tanë strategjikë, përkundër të tjerëve që ishin përfshirë në bashkërendime me Serbinë dhe jashtë vëmendjes dhe këshillimit me aleatët tanë strategjikë.

Në zgjedhjet e ardhshme, LDK do të hyjë me këto avantazhe që nuk janë avantazhe të vogla, por janë avantazhe që do të duhej të theksoheshin dhe të mbroheshin në mënyrë të fortë dhe të argumentuar, sepse këto avantazhe janë avantazhe që bëjnë diferencën në raport me alternativën tjetër, e që është alternativa e prontopolitikës, e haraçpolitikës dhe e mollotovpolitikës me kokë e këmbë në agjentura kundërshqiptare dhe pjesë të ofertës ruse për Ballkanin. Në zgjedhjet e ardhshme. LDK do të duhet të dijë të theksojë se shoqëria duhet të zgjedhl ndërmjet modelit qeverisës që ka shfaqur LDK-ja, në pak më shumë se gjysmë mandati, dhe modeleve qeverisëse të prontopolitikës, të haraçpolitikës dhe të molotovpolitikës, ndërmjet modelit të bashkërendimit me aleatët tanë strategjikë dhe modelit të ofertës ruse për Ballkanin. Dhe këtë duhet ta bëjë përkundër vazhdimit të luftës speciale politike, medietike, psikologjike dhe pse jo edhe formave kriminale të saj, siç mund të jenë kërcënimet, shantazhet, sulmet fizike, e pse jo edhe vrasjet politike.