LDK dënon sulmin, fton partitë politike të distancohen nga veprimet e tilla kriminale

05.08.2016 10:37:01

Lidhja Demokratike e Kosovës dënoi sulmin e rëndë kriminal mbi Kuvendin e Kosovës, të kryer një natë më parë nga njerëz ende të paidentifikuar.

LDK-ja konsideron se veprime të tilla kriminale të drejtuara kundër institucioneve shtetërore, synojnë të ndalin progresin e Kosovës në proceset euroatlantike, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e shtetit të Kosovës.

“Akte të tilla të dhunshme, kanë për synim direkt që të zhysin vendin në kaos dhe anarki dhe që të ndalin proceset e rëndësishme eurointegruese para të cilave ndodhet Kosova, duke filluar nga nisja e lëvizjes së lirë. Duke ftuar organet kompetente të shtetit që të zbardhin ngjarjen dhe të vënë para drejtësisë kryesit e këtyre akteve kriminale, LDK-ja shpreh përkushtimin e saj të plotë që të vazhdojë kontributin në avancimin e proceseve demokratike”, thuhet në reagim.

Njëkohësisht, LDK fton të gjitha subjektet tjera që të distancohen qartësisht nga veprime të tilla kriminale dhe të jenë pjesë e agjendës nacionale të Kosovës, në miqësi të përhershme me SHBA-të dhe vendet e BE-së.