LDK e përvjetorëve të lavdishëm dhe e unitetit që po rritet

07.05.2017 16:17:18

Nga Rexhep Kastrati

Lidhja Demokratike e Kosovës, në ditën e sotme shpërfaqi dy veçori që nuk i kanë të tjerët: lavdinë e saj që e ka arritur gjatë 27 viteve kur i mori për dore shqiptarët e Kosovës dhe në përgjithësi në ish-Jugosllavi dhe i lartësoi në nivelet më të larta të dinjitetit kombëtar, politik e historik, duke e bërë një popull me miq shumë dhe me miq të fortë, dhe; unitetin e saj që po dëshmohet çdo ditë e më shumë.

Dy degë të LDK-së: në Ferizaj dhe në Mitrovicë shënuan 27 vjetorin e themelimit, duke rikujtuar dhe sjellë në vëmendje veçantitë e saj si partia-lëvizje që realizoi pavarësinë e Kosovës bashkë me popullin dhe me bijtë e tij që sakrifikuan jetën. Këta përvjetorë dhe aktivitetet për shënimin e tyre, që po mbahen anekënd Kosovës dhe jashtë saj, janë përvejtorë të lavdisë, janë përvejtorë që përfshijnë historinë më të re të Kosovës dhe të shqiptarëve në territoret e tyre në shtetet e dala nga ish-Jugosllavia, e që është histori e lartësimit në nivelet më të larta Kosovën dhe shqiptarët si komb, që është histori e një procesi shumë të vështirë dhe shumë unik të lirisë, pavarësisë e demokracisë në krye me presidentin Rugova, që është histori e rikthimit të shqiptarëve në kontekstin gjeopolitik e gjeostrategjik euro-atlantik me miq të shumtë dhe të fortë, e që është histori e besimit, e shpresës dhe e përgjegjshmërisë politiko-institucionale për rolin e saj historik dhe kombëtar të saj. Këta përvjetorë, përkatësisht aktivitetet që po mbahen për shënimin e tyre, po bien në kohën kur LDK vazhdon të jetë në krye të angazhimeve për konsolidimin e shtetit, të institucioneve të tij si dhe në ruajtjen, fuqizimin dhe rritjen e aleancave me demokracitë perëndimore, duke qenë edhe më tej partia më serioze, më e përgjegjshme dhe më e besueshme edhe në palnin e brendshëm dhe në atë ndërkombëtar, duke vazhduar të ketë një përkrahje të fuqishme ndërkombëtare.

Dega e LDK-së në Zvicër, arriti të tejkalojë vështirësitë që ka pasur pas problemeve me unitetin e saj dhe tashmë ka zgjedhë kryetarin e ri të saj, z. Arif Baftiun, dhe një Kryesi të re përfaqësuese që do të marrë përsipër të realizojë një aktivitet më të shtuar në funksion të unitetit të saj, të përfaqësimit të interesave të shqiptarëve për vendin e tyre, dhe të vazhdojë të jetë zëri i shqiptarëve në Zvicër, por edhe një urë lidhëse ndërmjet LDK-së në Kosovë me parti simotra në Zvicër, ashtu siç ka qenë edhe deri më tash. Me degën e LDK-së në Zvicër, lidhet edhe historia e jonë e lirisë, e pavarësisë dhe e demokracisë, sepse ka qenë një nga degët e fuqishme të saj që kanë kontribuar për lirinë, për pavarësinë dhe për demokracinë në të gjitha aspektet: që nga organizimi i shqiptarëve në Zvicër, sigurimi i fondeve për funskionimin e lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci në Kosovë dhe në trojet shqiptare nën ish-Jugosllavinë, organizimin dhe mbështetjen e plotë të luftës kundër pushtuesit serb. Me emrin e degës së LDK-së në Zvicër lidhet gjithë ai angazhim shumëplanësh dhe shumëdimensional i shqiptarëve në Zvicër, por edhe gjithë ai model i një qytetarie të dinjitetshme të shqiptarëve në Zvicër edhe në raport me banorët vendës, edhe në raport me vetë shtetin helevetik.