LDK gjatë bisedimeve ka zhvilluar politikë parimore dhe ka kërkuar vetëm ate që i takon në bazë të votës së sovranit

26.12.2019 00:36:13

Nga Isa Shabani

Ajo nuk e ka shfrytëzuar rastin sikurse partitë tjera kur LDK kishte dukshëm më shumë vota së sa që sot ka VV. Më duket se VV nuk është serioze në bisedime përndryshe do të pajtohej me formulën qeverisëse. Si duket ajo po tenton përmes presionit mediatik që ta sjell LDK-në në gjendje inferiore për t’iu nënshtruar asaj. Ose synon që përmes opsionit për shkuarje në zgjedhje të reja, duke propaganduar se do të fitoj bindshëm, të mendoj se do e sjell LDK-në në gjendje për të pranuar formulën e pabarabartë qeverisëse. Ose vërtetë i dëshiron me çdo kusht zgjedhjet e reja, por më parë duke e fajësuar LDK-në për shkaktare të dështimit të bisedimeve, duke besuar në fitoren mbi 50% në rastin e zgjedhjeve të reja.
Për joseriozitetin dhe lojën e papastër të VV-së po ceku disa raste. Së pari kandidaten tonë gjatë fushatës zgjedhore e përcaktonte si të denjë vetëm për kryeparlamentare. Kërkonte koalicion paszgjedhor me LDK-në e në anën tjetër shprehte mosbesim në një pjesë të udhëheqjes së saj, kinse ata do të bënin koalicion me PDK-në, përkundër deklarimit të të gjitha organeve të LDK-së për koalicionin paszgjedhor me VV-në. Si mund të kuptohet kjo tendencë ndryshe, pos si synim për ta dëmtuar LDK-në gjatë proqesit zgjedhor dhe ta përçaj ate në bisedimet paszgjedhor për krijimin e koalicionit. Kurse guximi i Konjufcës për propozimin e kandidates sonë për presidente, tregon arogancën dhe joseriozitetin e tyre duke ndërhy në çështjet e brendshme të LDK-së. LDK ka mjaft kandidat të denjë për ministra, kryeparlamentar, kryeministër dhe kryetar shteti. Në këtë drejtim VV ka deficite të ndjeshme dhe për të hequr vëmendjen për këtë çështje nga vetvetja, ajo merret me kuadrot e LDK-së.
Uroj që VV të këndellet dhe të zhvilloj politikë reale të partneritetit dhe të besimit reciprok, për t’ua bërë të mundshme zgjedhësve të saj, të LDK-së dhe të gjithë atyre që besojnë dhe shpresojnë se LDK si parti institucionale me personalitete të afta për zhvillimin e shtetit dhe VV si parti e përcaktuar për të realizuar së bashku me LDK-në çkapjen e shtetit, do të bëjnë Kosovën ashtu sikurse kanë dashur ta shofin, të gjithë ata që kanë rënë për Kosovën dhe të mos na mallkojnë gjeneratat e ardhshme se në momentet vendimtare nuk kemi qenë në gjendje të marrim vendime për të mirën e popullit dhe shtetit.