LDK-ja, ‘bllok’ PAN-it

20.06.2017 08:42:58
Lidhja Demokratike e Kosovës po shihet si zgjidhje e ngërçit për të krijuar një Qeveri më gjithëpërfshirëse dhe më stabile edhe nga PAN-i, por edhe nga “Vetëvendosja”. Megjithatë, nënkryetari i kësaj partie Lutfi Haziri ka thënë se PDK-ja dhe partitë bishta të saj e kanë “bllok” nga ta
Pavarësisht rezultateve jo të mira në zgjedhjet e 11 qershorit Lidhja Demokratike e Kosovës po shihet përsëri si faktor në krijimin e një qeverie me numra të bollshëm.

Megjithatë, partia e Isa Mustafës duket se ka reflektuar nga “ndëshkimi” i votuesve të saj dhe zotohen se nuk do ta përsërisin historinë e vitit 2014 kur kishin dalë nga VLAN-i për t’iu bashkuar PDK-së në qeverisje.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se pavarësisht që nuk janë certifikuar akoma rezultatet dhe bisedimet zyrtare nuk kanë nisur me asnjë parti, aktualisht vetëm PDK-ja dhe partitë bishta siç i quan ai, e kanë “bllok” nga ta.

Sipas Hazirit, aktualisht për vendin është me rëndësi stabiliteti, të cilin ai nuk e përjashton për ta arritur me lëvizjen “Vetëvendosje”, sesa ndarja e posteve. Ndërsa, analistët politikë vlerësojnë se LDK-së do t’i bënte mirë opozita në këtë mandat, ashtu sikur PDK-së.

Sipas tyre, LDK-ja edhe mund të bëhet pjesë e Qeverisë, por kjo nuk do ta bënte ndryshimin.