LDK-ja e Prishtinës, e ashpër ndaj Sejdiut: Dardani dhe shefi i tij e shndërruan Komunën në klub banditësh!

30.07.2016 16:34:01

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar me emocione ndaj shkrimit të nënkryetarit të Prishtinës dhe nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiut, i cili ka thënë se dorëheqja do të jetë shpëtimi i vetëm i kryeministrit Isa Mustafa.

LDK e fajëson Sejdiun për dështimin e Kosovës në UNESCO, ndërsa thonë se tash ai dhe shefi i tij, Shpend Ahmeti, kanë qëllim “që të pamundësojnë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”!

Statusi i Sejdiut ka ardhur si kundërpërgjigje e një shkrimi të Mustafës, po në Facebook, ku kryeministri kërkonte nga të gjithë ata që thonë se Kosova humb tokë me Demarkacion, të vizitojnë mjekun.

Reagimin e LDK-së mund ta lexoni të plotë më poshtë.

“Nënkryetari histerik i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu, paska gjetur kohë që të merret me qeverisjen qendrore dhe demarkacionin.

Njeriu që organizonte turmat për të hedhur molotovë mbi policët dhe stacionin policorë në Prishtinë, tani, në vend që të merret me ujërat e zeza në lagjen Kalabria, të mbyll gropat nëpër rrugët anekënd Prishtinës, të kujdeset për pastrimin e mbeturinave nëpër qytet, të vejë rregull në trafikun urban, e të bëjë ndonjë punë të hairit, i lejon vetes që të merret me politika nacionale.

Sejdiu dhe shefi i tij, të cilët janë përgjegjës edhe për humbje të jetëve të njerëzve në Prishtinë për shkak të papërgjegjësisë dhe mosreagimit me motive politike, do të mbahen mend për shndërrimin e Komunës në klub banditësh që synojnë djegien e policëve e qytetarëve, objekteve private e publike dhe shtëpitë private e makinat familjare. Me veprimet e tyre kriminale ata i pamundësuan Kosovës anëtarësimin e UNESCO ndërsa tani i kanë venë vetes qëllim që të pamundësojnë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagimin e LDK-së në Prishtinë.