LDK-ja thotë se do të jetë unike në votimin e demarkacionit

31.08.2016 20:26:22

Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka njoftuar se nesër në kuvendin e Kosovës, deputetët e saj do ta votojnë demarkacionin me Malin e Zi. Ky njoftim vjen pas takimit të sotëm që LDK, mbajti me anëtaret e saj.

Siç theksohet, LDK-ja do të jetë unike në adresimin e kësaj çështjeje me rëndësi të madhe për të ardhmen e shtetit dhe për perspektivën evropiane

“Sot, u mbajt takim i përbashkët i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Grupit Parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë takimit u diskutua për procesin e ratifikimit të marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Deputetët e LDK-së dhe anëtarët e Kryesisë theksuan se LDK-ja do të jetë unike në adresimin e kësaj çështjeje me rëndësi të madhe për të ardhmen e shtetit dhe për perspektivën evropiane të qytetarëve të Kosovës.

Gjatë takimit, u rikonfirmua mbështetja e të gjitha strukturave të LDK-së për deputetët e Kuvendit që të votojnë për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, duke pasur parasysh argumentet e plota, të ofruara edhe për opinionin e gjerë, se me të Kosova nuk e humb asnjë metër katror të territorit të saj.

Ishte qëndrim i përbashkët se LDK-ja me votimin unanim të kësaj marrëveshjeje do të rikonfirmojë përkushtimin e saj për mbrojtjen dhe avancimin e interesave kombëtare të vendit, fuqizimin e shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar, për fuqizimin e partneritetit strategjik me SHBA-të dhe vendet e tjera mike, për liberalizmin e vizave, për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur dhe hapat e tjerë zhvillimorë të vendit”, thuhet në komunikatën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.