LDK kërkon nga degët të përgatiten për zgjedhje të parakohshme

05.04.2018 14:25:58

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga strukturat e degëve t’i intensifikojnë përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme.

LDK përmes një njoftimi për media thekson se sot gjatë një takimi me kryetarët e degëve të LDK-së, u vlerësua edhe një herë se vendi ka hyrë në krizë të thellë institucionale dhe politike.

“Është e qartë se qeveria e pakicës nuk mund të udhëheqë me vendin dhe se temat e rëndësishme për vendin nuk mund të adresohen nga një qeveri e rënë. Kryetarët e Degëve kanë intensifikuar përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se në ditët në vijim, Kryesia e LDK-së do të jenë në secilën degë të LDK-së për të komunikuar me strukturat e degëve dhe për të intensifikuar përgatitjet për zgjedhje.

“Degët e LDK-së janë të gatshme t’i nënshtrohen procesit zgjedhor dhe janë të bindur në mbështetjen e qytetarëve”, thuhet në njoftim.