LDK kërkon vetëm zgjedhje të reja

20.01.2019 23:35:35

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), vazhdon të insistojë në zgjedhje të reja.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në një qeveri edhe nëse kjo aktualja bën rikonfigurim total.

“Ne kërkojmë shkarkimin e kësaj qeverie dhe shkuarjen në zgjedhje’, tha Zemaj për Klan Kosovën.

Sipas deputetit Armend Zemaj ky edhe është qëndrimi përfundimtar i kryesisë së këtij subjekti opozitar.

Por ky vendim u mor pavarësisht që ditë më parë kryetari i tyre, Isa Mustafa, la të nënkuptohej se LDK mund të bëhej pjesë e udhëheqjes së vendit, përmes një konfigurimi të ekzekutivit.

Po deklarata e tillë sipas Zemajt u keqinterpretua pasi sipas tij, Mustafa në fjalimin e tij ka tentuar të thotë që të bëhet një konfigurim total i institucioneve dhe të shkohet në zgjedhje.

Kështu, LDK krejt çka kërkon është shkarkimi i kësaj qeverie pavarësisht keqinterpretimeve e keqkuptimeve të deklaratave të mundshme të bëra nga ndonjë pjesëtar i saj.