LDK kritikon qeverinë Haradinaj për punësim të militantëve në prag të zgjedhjeve

18.09.2019 10:25:15

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti ka kritikuar qeverinë në detyrë të Ramush Haradinajt për punësimet e paligjshme.

Hoti përmes Facebookut ka shkruar se punësimet e paligjshme në kohë fushate janë abuzim i pastër me paranë publike.

“Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dënon praktikën abuzive të koalicionit dhe Qeverisë në largim, për punësime të paligjshme në sektorin publik, në kohë fushate”, ka shkruar Hoti.

Ai ka thënë se koalicioni qeverisës po punëson militantë për përfitime politike në prag të zgjedhjeve.

“Informatat që vijnë nga institucionet dhe kompanitë publike tregojnë për punësime pa konkurs dhe pa kritere të qindra militantëve partiakë, me qëllim të përfitimeve politike në prag të zgjedhjeve”, ka shkruar Hoti.

Hoti iu ka bërë thirrje monitoruesve vendorë dhe ndërkombëtarë që të evidentojnë këto shkelje të rënda të procesit zgjedhor.

Postimi i plotë:

Punësimet e paligjshme në kohë fushate janë abuzim i pastër me paranë publike

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dënon praktikën abuzive të koalicionit dhe Qeverisë në largim, për punësime të paligjshme në sektorin publik, në kohë fushate.

Informatat që vijnë nga institucionet dhe kompanitë publike tregojnë për punësime pa konkurs dhe pa kritere të qindra militantëve partiakë, me qëllim të përfitimeve politike në prag të zgjedhjeve.

Publikimet në media për rritje enorme të numrit të veteranëve të rrejshëm në kohë fushate, duhet të jenë alarm për institucionet ligjzbatuese, që të aktivizohen për të penguar abuzimin me taksat e qytetarëve.

Praktikat e punësimit në administratë janë keqpërdorim me paranë publike, shkelje e ligjit dhe shkelje e rregullave zgjedhore.

LDK konsideron se koalicioni i Qeverisë në largim, duke parë humbjen e thellë në zgjedhje, po përdor metoda të paligjshme, siç janë punësimet në sektorin publik, për të përfituar politikisht.

LDK iu bën thirrje monitoruesve vendorë dhe ndërkombëtarë që të evidentojnë këto shkelje të rënda të procesit zgjedhor.

Lidhja Demokratike ju bën thirrje koalicionit PAN që t’i ndërprejnë praktikat diskriminuese ndaj qytetarëve, të cilët i kanë sjellë në varfëri të skajshme për shkak të korrupsionit enorm me paranë publike.

LDK-ja ju bën thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të përkrahin programin dhe kandidaten tonë për kryeministre, Vjosa Osmani, e cila me besimin e qytetarëve, me votën e lirë, më 6 tetor do t’i japë dënimin e merituar, atyre që e konsiderojnë vetëm mbi ligjin.

Lidhja Demokratike e Kosovës me fitoren në zgjedhjet e 6 tetorit, do të jetë gardiane e parasë dhe pasurisë publike dhe do t’i japë fund praktikave korruptive në punësime.