LDK, në krye të procesit të bisedimeve!

02.01.2019 13:04:35

LDK duhet të udhëheqë me procesin e bisedimeve me Serbinë, si partia më e madhe në Kuvend dhe lëvizja e partia udhëheqëse në formimin e shtetit tonë, pavarësisë së Kosovës. Është obligim kombëtar e politik i LDK-së në radhë të parë por edhe gjithë të tjerëve të mbrojë këto vlera. Lojërat e ulëta të pushtetit aktual në raport me LDK-në duhet të ndalen. Janë të paskrupullt politikisht dhe të padijshëm të gjithë ata që mendojnë e bëjnë projekte se LDK bëhet pjesë e një grupi negociator të cilin e udhëheqin autsajderët e politikës dhe profiterët e rrethanave aktuale ( Shpend Ahmeti etj). Nuk mund ta ofendojë askush LDK-në deri në këtë shkallë! Në anën tjetër LDK, udhëheqja e saj, nuk mund të presë që tjerët ta udhëheqin procesin e ajo t’i votojë apo jo marrëveshjet që kanë arritur. Është mendësi politike e rrezikshme për vendin sepse është provuar se kjo dërgon në situata të vënjes para “aktit të kryer” dhe është njëjtë po aq ofenduese dhe me rreziqe për shtetin tonë. Kushdo që është lodhur në politikë, le të pushojë, përfshirë edhe kryetarin e LDK-së. Nuk mund të mbetet LDK peng i asnjë individi dhe as Kosova nuk mund të mbetet peng i LDK-së. Për fat të mirë, LDK ka kapacitete të mjaftueshme për të udhëhequr procesin e bisedimeve dhe të gjitha proceset tjera të rëndësishme për vendin. Partnerët tanë, SHBA etj. besoj ta mirëpresin rolin parësor të LDK-së në këto procese.