LDK parti institucionaliste, nuk ka zgjedhur rrugën e protestave

23.08.2016 12:28:17

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të protestojë para Komunës së Prishtinës ashtu siç ishte paralajmëruar, por vetëm ka dashur të ironizojë me qeverisjen komunale për punimet pa kriter. Kështu kanë deklaruar zyrtarët e LDK-së, sipas të cilëve, kjo parti është institucionaliste dhe nuk e ka zgjedhur rrugën për protestim.

Në anën tjetër, nga zyra e kryetarit të Prishtinës, gjithçka që flitet prej tyre është për të shpërqendruar vëmendjen publikut nga çështje nacionale.

Asamblisti i LDK-së, Flamur Shala, i ka thënë “Zërit” se thirrja për protesta ka qenë ironizim. “Nuk është thirrje për protesta, më shumë është ironizim me protestat që po organizohen, që të njëjtat të mbahen edhe para Komunës së Prishtinës, kundër punësimit të paligjshëm që bëhet”, ka thënë Shala.

Sipas tij, partia që ai i takon është parti institucionaliste dhe nuk organizon protesta. “LDK nuk organizon protesta… dhe vetëm reagimi ynë politik është protesta jonë e vetme”, tha ai.

Për Shalën, punësimet e bëra nga “Vetëvendosja” në Komunën e Prishtinës, të cilat i ka pasqyruar edhe Auditori i Përgjithshëm janë tërësisht të paligjshme. “Sipas informacioneve të mia, numri i të punësuarve me kontratë mbi vepër, i paraqitur nga Auditori i Përgjithshëm është rritur së fundi, që shkon mbi 290 persona”, tha ai.

I pyetur për heshtjen e LDK-së për rastin e publikimit të përgjimeve, apo të njohura si “Pronto 2”, e për të njëjtat keqpërdorime akuzojnë “Vetëvendosjen” në Komunë, Flamur Shala tha se “nuk kemi heshtur për Pronton duhet që çdo rast i keqpërdorimit të hetohet nga drejtësia”, ka përfunduar ai.