LDK për mundësinë e gazit lotsjellës në Kuvend: Nuk e kemi ndërmend të kallim luftën në institucione

02.06.2020 15:41:49

Ani pse është mohuar të ndodhë nesër, kanë qenë të shpeshta rastet kur Kuvendi i Kosovës është bërë tym nga gazi lotsjellës.

E një të të tillë nuk e mendon se do të ndodhë as Lidhja Demokratike e Kosovës tek shprehen se do të ishte një akt anti-shtetëror e deinstitucionalizëm.

Shefi i Grupi Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi, i pyetur për gazin në Kuvend në një intervistë për EO ka thënë se deputetët e kësaj partie, do të jenë në përputhje me mandatin që kanë.

“Lëvizja Vetëvendosje dhe deputetët e saj do të jenë në përputhje me mandatin që kanë deputetët dhe në përputhje me vendimet e Lëvizjes Vetëvendosje si subjekt politik. Edhe tani pas çdo situate zgjidhja e vetme janë zgjedhjet sepse kur ka mocion të suksesshëm mosbesimi edhe në përputhje me Kushtetutën me nenet 82 dhe 95 vetëm zgjedhjet janë zgjidhje.

Kurse, anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi për lajmi.net është shprehur se gazi është gjë e panevojshme dhe shpreh besimin se situata nuk do të shkojë deri në atë pikë.

Ajo më tutje thotë se beson se gjithçka do të vendoset nga vota e lirë e pa presione.

“Është diçka krejtësisht e panevojshme dhe nuk po dua të besoj se situata do të vije deri në atë masë sepse vendit i duhen institucione, sepse nëse ndodh diçka e tillë e ka vetëm një emër, deinstitucionalizëm dhe anti-shtetërore, prandaj dua të mendoj pozitivisht se gjithçka do të shkojë në rregull dhe do të vendosë vota e lirë pa presione”, tha Kajtazi për lajmi.net.

Kajtazi gjithashtu është shprehur se edhe nëse ndodhin gjëra të tilla, LDK “nuk e ka ndërmend të kallë luftën në Kuvend”, duke shtuar se lufta e LDK-së është demokratike.

“Ne nuk e kemi ndërmend të kallim luftën aty, lufta jonë mbetet e njëjta, me mjete demokratike dhe konsiderojmë se kështu do të vazhdohet derisa të tjerët të ndëgjegjësohen dhe të kuptojnë se ndryshe nuk bën”, tha Kajtazi.

Seanca e Kuvendit të Kosovës ku pritet të votohet qeveria Hoti do të fillojë nesër në ora 11:00 dhe kjo vjen pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese ku dekreti i presidentit Thaçi për mandatarin e LDK-së, Avdullah Hoti u argumentua si në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Me formimin e qeverisë së re nuk pajtohet Lëvizja Vetëvendosje e cila aktualisht udhëheq e vetme me vendin si qeveri në detyrë, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur edhe më tutje pozicionin e saj neutral ndaj këtyre zhvillimeve politike.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës janë shprehur se i kanë votat e nevojshme për formimin e qeverisë së re, por zërat që po qarkullojnë nëpër media e vënë në dyshim një gjë të tillë. Mbetet të shihet nesër se çfarë do të ndodhë.