LDK: Personi që largoi fotografinë e Rugovës kërcënoi edhe drejtuesit e LDK-së (Video)

22.07.2016 19:51:57

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një kumtese për media ka thënë se personi i cili largoi fotografinë e Presidentit Historik, Ibrahim Rugova në ambientet e Kuvendit, ka vazhduar të kërcënojë drejtuesit e LDK-së.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjell me shqetësim ngjarjet e zhvilluara sot në Kuvendin e Kosovës, kur një person me banim jashtë vendit, ka dëmtuar fotografinë e Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. I njëjti person, edhe pas intervistimit në Polici, është liruar dhe ka vazhduar me kërcënime dhe ofendime ndaj drejtuesve të LDK-së. LDK-ja i bënë thirrje aktivistëve të saj që të mos bien pre e provokimeve të këtij personi”, thuhet në kumtes.

Më tej LDK ka ftuar organet kompetente që të marrin masa për veprimet dhe kërcënimet publike të këtij personi, i cili mund të ketë nevojë edhe për trajtim shëndetësor të specializuar.

“LDK-ja konsideron se askush nuk ka mundur dhe nuk do të mund të zbeh figurën e Arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili me jetën dhe veprën e tij u bë simbol i Pavarësisë së Kosovës. Qytetarët patriotë të Kosovës, me banim brenda dhe jashtë Atdheut, si dhe institucionet e Republikës së Kosovës, do të ruajnë kujdesin dhe respektin e përjetshëm për themeluesin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova”, thuhet në fund të kumteses.