LDK quan martirë të lirisë, të rënët në Krushë të Madhe dhe në tërë Kosovën

26.03.2017 14:41:09

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kujtuar masakrën në Krushë të Madhe, të kryer nga forcat policoro-ushtarake serbe, e që është një nga masakrat më të mëdha dhe më të rënda në Kosovë të kohës së luftës.

Me këtë rast, LDK i konsideron ata dhe gjithë të rënët e tjerë si martirë të lirisë së Kosovës, dhe dëshmi të krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit shtetëror serb.

“Më 25, 26 dhe 27 mars 1999 ndodhi masakra më e tmerrëshme ndaj 243 qytetarëve shqiptar në Krushë të Madhe të Rahovecit shumica prej tyre të moshuar, gra dhe fëmijë.

Njerëzit e mirë të masakruar në Krushë të Madhe dhe në Suharekë, së bashku me dhjetëra mijëra shqiptarë të tjerë të vrarë e të zhdukur anekënd Kosovës nga regjimi serb, janë martirë të lirisë së Kosovës.

Ata janë dëshmi e krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit shtetërore që regjmi i Serbisë kreu në Kosovë, përgjegjësi prej të cilës nuk do të mund të shpëtojnë organizatorët dhe kryesit e tyre. Lidhja Demokratike e Kosovës përulet para sakrificës sublime të martirëve të Krushës së Madhe dhe të Suharekës dhe zotohet për realizimin e aspiratave të tyre për Kosovën shtet sovran e demokratik, të zhvilluar e të integruar në familjen e vendeve perëndimore evropiane.” – shprehet LDK nëpërmjet Zyrës së saj për informim.