LDK shpreh keqardhjen se organi më i lartë legjislativ i Kosovës është i varur nga Serbia

07.09.2017 18:37:21

Pas zhvillimeve të sotme, përkatësishtë seancës konstituive në të cilën u zgjodh kryetari i kuvendit dhe nënkryetarët, dhe mandatimit të haradinajt për kryeministër dhe koalicionit PANA për formimin e qeverisë nga presidenti i Kosovës H. Thaçi, Lidhja Demokratike e Kosovës reagon me një komunikatë për media.

LDK shpreh keqardhjen e saj për këto zhvillime, në të si zgjedhja e kryetarit të parlamentit, ashtu edhe e qeverisë së ardhshme do të varet nga lista serbe, transmeton fokusi.org.

Sipas LDK-së, pazaret me të cilat ky koalicion zgjodhi kryetarin e parlamentit dhe pritet të formoj qeverinë janë të papranueshme dhe antikushtetuese.

Gjithashtu Lidhja Demokratike e Kosovës zotohet në luftimin e kapjes së shtetit, dhe tregon se këtë e ka shfaqur dukshëm edhe gjatë qeverisjes, ku asnjëherë nuk lejoi që vendimet e organeve të Kosovës të vareshin nga Lista serbe siq ndodhi sot me kryetarin e kuvendit, nesër me qeverinë e më pas me të gjitha vendimet tjera të kësaj qeverie./fokusi.org/

Më poshtë mund ta gjeni komunikatën e plotë:

“Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje për zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës, ku u konfirmua katërçipërisht se koalicioni që sot e zgjodhi kryetarin e Kuvendit, diktohet plotësisht nga Lista Serbe dhe pazargjinjtë.

Sot, koalicioni i sekserëve, dëshmoi po ashtu, se përfaqëson vetëm interesat e ngushta të tre individëve, të cilët synojnë të jenë në tri pozitat kryesore të shtetit, duke mos zgjedhur mjete dhe duke mos pasur asnjë konsideratë për të ardhmen e shtetit.

Lidhja Demokratike ka vërejtur se marrëveshjet e koalicionit dhe pazaret e lidhura janë në kundërshtim me ligjin dhe me Kushtetutën. Prandaj, e konsideron shumë të dëmshme që Kosova të qeveriset nga struktura të tilla.

Lidhja Demokratike u mbetet besnike zotimeve para anëtarësisë dhe qytetarëve se nuk do të bëjë koalicion me ata që e kanë kapur shtetin, me ata që simbolizojnë krimin dhe korrupsionin.

LDK do të jetë në koalicion me qytetarët për të kundërshtuar çdo të keqe që i bëhet Kosovës nga një qeverisje pa legjitimitet të shumicës shqiptare.

LDK rithekson përkushtimin që të mobilizohet tërësisht në misionin e shenjtë për çkapjen e shtetit dhe për të mos toleruar që institucionet e Kosovës të dirigjohen nga Serbia.

Këtë e ka dëshmuar edhe kryeministri, njëherësh kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili gjatë mandatit të deritashëm në Qeveri, nuk ka pranuar në asnjë moment të dirigjohet nga Lista Serbe, as për krijimin e institucioneve, as për Ligjin e Trepçës, dhe për asnjë çështje të rëndësishme shtetërore, duke i përjashtuar nga kabineti të gjithë ata që nuk kanë punuar në përputhje me ligjet e shtetit.

Ndërkaq, koalicioni i sekserëve, edhe kohën e mbajtjes së seancave e cakton me leje të Listës Serbe, të cilës iu dhurua edhe një Ministri shtesë si koncesion i radhës për të krijuar një Qeveri pa legjitimitet qytetar.

Kryetari i zgjedhur i Kuvendit vetëm me votën e pozitës, mund të ketë besimin e atyre që e kanë votuar, por LDK e konsideron përgjegjësin kryesor i cili, për motive dhe interesa personale dhe me logjikë konspirative, organizoi rrëzimin e shumicës shqiptare në Kuvend, për të sjellë organin më të lartë legjislativ në varësi të plotë nga Lista Serbe dhe Serbia.” / fokusi.org/