LDK shtyn për nesër takimin e Kryesisë, ku pritet të caktohen ministrat

31.05.2020 13:19:03

fot arkivi

Mbledhja e Kryesisë së LDK-së, e cila ishte planifikuar të mbahej sot është shtyrë për nesër. Në këtë takim do të caktohen ministrat nga ky subjekt politik, që do të jenë pjesë e Qeverisë së re, e cila për kryeministër do të ketë Avdullah Hotin.

Anëtari i kryesisë dhe zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë për klankosova.tv se mbledhja u shtye për shkak se disa pjesëmarrës nuk patën mundësi të jenë sot të pranishëm.

“Takimi i Kryesisë së LDK-së mbahet pasi Gjykata Kushtetuese të publikojë dhe të ju dërgojë palëve aktvendimin e plotë”.

“Njëkohësisht, disa nga anëtarët e Kryesisë e kanë të pamundur pjesëmarrjen në takim këtë të diele, prandaj takimi i Kryesisë mbahet, tentativisht, nesër”, ka thënë Mustafa.

Mësoget se në këtë mbledhje të kryesisë së LDK-së pritet të vendoset se kush do të jenë emrat e përfaqësuesve në ministritë përkatëse.

Ndërkaq, nominimet fillestare, për të cilët Klan Kosova pati raportuar janë: Vlora Dumoshi me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Agim Veliu me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Lumir Abdixhiku me Ministrinë e Financave dhe Transfereve, Arban Abrashi me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit, Armend Zemaj me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ndërsa Hykmete Bajrami do të zë postin e zëvendëskryeministres.

Ndërkaq, Besian Mustafa do të lë postin e ministrit të Bujqësisë dhe do të merr atë të udhëheqësit të Dikasterit të Integrimeve Europiane në kuadër të MPJ.

Pos, caktimit të ministrave, LDK-ja me dy partitë me të cilat është në koalicion, AAK dhe NISMA, janë duke synuar që sa më shpejtë të formojnë Qeverinë e Re, kjo pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të nominuar për kryeministër Avdullah Hotin.

Burimeve të sigurta mëson se koalicioni LAN po synon që të martën (02 qershor, 2020) në ora 10:00, ta mbajë seancën në Kuvend për votimin e Qeverisë.

“Nëse të hënën shpërndahen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, në po atë ditë ne do ta kërkojmë me 64 nënshkrime të deputetëve seancën që të mbahet të martën ose ndonjë ditë tjetër që vendosë Kryesia e Kuvendit”.

Sipas këtij burimi, seanca mund të mbahet edhe të hënën nëse kështu vendos Kryesia e Kuvendit.

Po ashtu mësohet se ky koalicion është duke i bërë përgatitjet e fundit për seancën në fjalë. Ky burim thotë se janë të paktën 64 vota që do ta mbështesin formimin e Qeverisë në krye me Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërsa, i nominuari për zëvendëskryeministër të Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë për Klan Kosovën se AAK tashmë ka votuar në të gjitha organet e partisë për përbërjen ministrore të Qeverisë Hoti.

Sipas tij, AAK ka nominuar emra kredibilë për të qenë në krye të dikastereve qeveritare.

Ai ka theksuar se grupi parlamentar i këtij subjekti politik do të jetë njëzëri për ta votuar Qeverinë e re, kurdo që mbahet seanca gjatë javës së ardhshme.

Kujtojmë se të nominuarit fillestarë të këtij subjekti politik janë: Ramë Likaj në pozitën e ministrit të Arsimit, Blerim Kuçi në pozitën e ministrit të Ekonomisë, Selim Selimi në pozitën e ministrit të Drejtësisë, Meliza Haradinaj në pozitën e ministres së Punëve të Jashtme; ndërsa zëvendëskryeministër pritet të jetë Besnik Tahiri.

Derisa dy partnerët e koalicionit, LDK dhe AAK, ende nuk kanë konfirmuar zyrtarisht se me cilat ministri do të udhëheqin, Nisma e ka vendosur.

Endrit Shala nga kjo parti konfirmoi  se Nisma do të ketë një zëvendëskryeministër, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe atë të Mirëqenies Sociale, si dhe katër zëvendësministra.

“Nisma do të ketë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe katër zëvendësministra. Për emrat e ministrave ende nuk kemi vendosur”.

Për postet ministrore të Nismës janë përmendur Vesel Krasniqi, Skënder Reçica dhe Valdete Bajrami.