LDK: Territori i Kosovës nuk mund të nxirret në pazar, Thaçi duhet të ndalet

27.08.2018 12:54:10

Lidhja Demokratike e Kosovës në një deklaratë për media ka thënë se kjo parti nuk do të lejojë që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksander Vuçiq të bëjnë pazare me territorin e Kosovës.

LDK thekson se Kosova është një dhe e pandashme.

Sipas LDK-së, territori i Kosovës nuk mund të nxirret në pazar dhe presidenti Thaçi duhet të ndalet.

“Presidenti Thaçi nuk ka mandat kushtetues për veprimet të tilla. Negociatat për territorin e Kosovës janë kundër kushtetuese dhe kushdo që hynë në lojëra të tilla do të bartë pasojat kushtetuese dhe politike. Ne të bashkërendojmë veprimet në Kuvend për të penguar vënien në pikëpyetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës nga Presidenti i vendit”, thuhet në deklaratën për media.

Sipas LDK-së, kjo parti do të refuzojë çdo marrëveshje që bëhet pa mandat të Kuvendit dhe pa pajtueshmëri të gjerë të forcave relevante politike dhe të qytetarëve.