LDK: T’i vendosen vija të kuqe Presidentit në dialogun me Serbinë!

28.06.2018 19:21:22

LDK, edhe një herë është shprehur se Presidenti i Kosovës po i udhëheqë dialogun me Serbinë i paautorizuar, si dhe është shprehur kundër heqjes së vijave të kuqe me Serbinë.

Në një Deklaratë për medie që e ka shpërndarë zyra për Informim e kësaj partie, LDK shprehet se “shtetësia e Kosovës ka marrë zgjidhje përfundimtare gjatë Procesit të Vjenës, ka marrë formë me Deklaratën e Pavarësisë dhe ka marrë legjitimitet ndërkombëtar me Deklaratën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.”.

Më tej, LDK e quan naivitet politik krahasimin e shtetësisë së Kosovës me shtetësinë e Palestinës, dhe së këndejmi kërkon nga Kuvendi që të vendosë vija të kuqe për Presidentin.

Më poshtë mund të lexoni të plotë Deklaratën për medie të Zyrës për Infromim të LDK-së:

LDK – Deklaratë për medie

Presidenti i Kosovës, i paautorizuar për të udhëhequr dialogun me Serbinë, sot, ende pa nisur mirë ky dialog, hoqi të gjitha vijat e kuqe në tavolinën e dialogut me kontestuesit e shtetësisë sonë.

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë që ka projektuar dhe ka themeluar shtetin e Kosovës, shtetësia e Kosovës ka marrë zgjidhje përfundimtare gjatë Procesit të Vjenës, ka marrë formë me Deklaratën e Pavarësisë dhe ka marrë legjitimitet ndërkombëtar me Deklaratën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Së këndejmi, secili proces i pakushtëzuar ndaj rendit tonë kushtetues dhe secili krahasim me shtetësinë e Palestinës përbën naivitet politik të rrezikshëm dhe është skajshmërisht i dëmshëm për pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Prandaj, është e domosdoshme që Kuvendi i Kosovës, përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvend urgjentisht të vendosin vijë të kuqe për Presidentin që, i paautorizuar, ka marrë në dorë fatet e vendit.

Prishtinë,
28 qershor 2018

Zyra e Informimit e LDK-së