LDK: Veprimet e Uran Ismailit për ta shpëtuar shefin e tij janë...

LDK: Veprimet e Uran Ismailit për ta shpëtuar shefin e tij janë dëshpëruese

29.05.2019 17:59:53

Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media ka reaguar në lidhje me deklaratat e nënkryetarit të PDK-së, Uran Ismaili, sot në një konferencë për media ku ka akuzuar zyrtarë të LDK-së se i kanë dhënë leje që spitali privat të ndërtohet në hapësira të QKU-së.

Sipas reagimit të LDK-së në video incizimet e publikuara ditët e fundit, vërehet qartë që nuk kërkohen mito e fajde për leje të ndërtimit, lokacion të ndërtimit apo për licencë të Spitalit.

“ Video incizimet janë publike, dihet qartë në ato video për çka kërkohet e ofrohet mito e fajde. Aty nuk kemi parë asnjë njeri të lidhur me LDK-në, por me PDK-në. Tani, sipas ministrit të Veselit qenka fajtor ekzistenca e Spitalit, që njerëzit paskan kërkuar fajde, duke u thirrur edhe në shefin e tij”, thuhet në reagim të LDK-së.

Sipas kësaj partie këto janë përpjekje e veprime të ulëta dhe dëshpëruese të Uran Ismailit për ta shpëtuar shefin e tij, për të cilin në këto video incizime, thuhet se i kanë dhënë 200 mijë euro, për të cilën duhen dhënë fjalën e fundit organet e drejtësisë.

“Plotësisht pajtohemi dhe i bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që të hulumtojnë dhe të vërtetojnë nëse ka pasur mito e fajde gjatë ndarjes së lokacionit dhe dhënies së lejes së ndërtimit nga Komuna e Prishtinës ose gjatë dhënies së licencës nga organet përgjegjëse”, thuhet në reagim të LDK-së.

Sipas LDK-së mbi të gjitha dhe përfundimisht, duhen vënë para drejtësisë ata që kanë marrë e dhënë mito e fajde.

“Emrat që përmenden në video, zyrtarë të lartë të PDK-së apo njerëz të afërm me ta, kanë marrë besimin e qytetarëve të Kosovës për të përmirësuar jetën e tyre. Prandaj, të lartpërmendurit, duhet të përgjigjen para ligjit dhe para qytetarëve të Kosovës.Drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë dhe ndaj të gjithëve”, thuhet në reagim.

Ndryshe nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka denoncuar sot në një konferencë për media, komplet aferën e Spitalit ku janë të përfshirë fajdexhinj, mashtrues që kanë keqpërdorur emra të zyrtarëve politik.

Ismaili ka prezantuar kronologjinë e krimit të organizuar që sipas tij ka filluar më 2003 kur kryetar i Prishtinës që e dha lejen e parë ishte Ismet Beqiri, ndërsa atë e ka përfunduar kryeministri Isa Mustafa më 2015.