LDK: Vlerësojmë lartë personalitetin dhe kontributin e ish-nënkryetarit, Fadil Ferati!

30.01.2018 15:50:12

Një delegacion i gjerë i LDK-së, i kryesuar nga dy nënkryetarët: z. Haki Rugova dhe z. Agim Veliu qëndroi në Istog për të bërë homazhe te varri i Fadil Feratit, ish-nënkryetar i LDK-së. ish-kryetar i degës së LDK-së në Istog dhe ish-kryetar i kësaj komune.

Zyra për Informim e LDK-së, nëpërmjet një postimi në faqen e saj, ka informuar për këto homazhe dhe ka përcjellë edhe vlerësimet e dy nënkryetarëve të saj për personalitetin dhe kontributin e z. Ferati.

Sipas këtij njoftimi, z. Veliu ka vlerësuar se Fadil Ferati ishte një kontribues i madh në rrjedat në Kosovë, kurse z. Rugova, e ka vlerësuar kontributin e z. Ferati dhe e ka quajtur kryetar të përjetshëm të istogut.

Ky është njoftimi i plotë i Zyrës për Informim të LDK-së:

Sot, anëtarë të kryesisë së LDK-së dhe shumë bashkëpunëtorë e veprimtarë të LDK-së kanë bërë homazhe te varri i ish-kryetarit të Komunës së Istogut, njëherit nënkryetar i LDK-së dhe kryetar i degës në Istog, Fadil Ferati.

Në përvjetorin e vdekjes së tij e kujtojnë shumë veprimtarë të LDK-së e qytetarë të Istogut, për të cilët punoi shumë dhe për një kohë të gjatë.

Nënkryetari i LDK-së, njëherit kryetar i Komunës së Podujevës, z. Agim Veliu tha se Fadil Ferati kontribuoi shumë edhe për Istogun por edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Ishte një kontribues i madh në të gjitha rrjedhat dhe zhvillimet që kanë ndodhur në Kosovë”, tha ndër të tjerash z. Veliu

Ndërsa kryetari i Istogut, z. Haki Rugova falenderoi strukturën e LDK-së që gjithmonë do ta kujtoj figurën e Fadil Feratit.

“Istogu do të krenohet gjithmonë me Fadil Feratin, si kryetar i përjetshëm i Istogut, i cili ka dhënë një shembull të mirë si udhëheqet një komunë dhe jo vetëm, por edhe në udhëheqjen e LDK-së në tërësi”, tha z. Rugova.

Ai poashtu tha se idenë e tij do të mundohen ta qojnë deri në fund.

Fadil Ferati do të mbetet veprimtar i pashoqë dhe do të kujtohet gjithmonë nga Istogasit dhe shumë qytetarë të Kosovës.

LDK-ja vlerson lartë punën dhe kontributin e Feratit si kryetar i Istogut por edhe si njëri ndër veprimtarët më të shquar të asaj kohe.

LDK – Zyra për Informim